Tërheqja e 30 përqindëshit të Trustit, nga java e ardhshme në Kuvend

20 tetor 2022 | 14:25

Nga java e ardhshme, Projektligji për Trustin do të shkojë në Kuvend, me apo pa mendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka bërë me dije deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili është një nga iniciuesit kryesorë të këtij projektligji.

“Me apo pa mendim të qeverisë, Projektligji për Trustin, nga java e ardhshme hyn në procedurë parlamentare në Kuvend. Të hënën duhet të iu shpërndahet deputetëve dhe pastaj të trajtohet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione edhe të vijë për votim në Kuvend”, ka thënë Haxhiu për “Klankosova.tv”.

Herën e parë, në muajin qershor të këtij viti, Projektligji që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve të tyre të grumbulluar në Fondin Pensional nuk ka kaluar në Kuvend.

Kjo ishte kundërshtuar nga ana e qeverisë, por edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, iniciuesit e këtij projektligji nuk janë dorëzuar. Përpjekja e dytë për kalim është duke u bërë përmes nënshkrimit të peticioneve nga ana e qytetarëve.

Mbi 17 mijë nënshkrimet që janë mbledhur për tetë ditë janë njohur si të rregullta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Adnan Jashari, i cili është iniciator për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët, ka thënë për “Klankosova.tv” se nuk e di se si do të jetë përgjigja e Qeverisë.

Ai ka thënë se ekzekutivi sikurse herën e kaluar përgjigjen po e lë në ditën e fundit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka afat deri të premten për të dhënë një përgjigje, e që shpreson që të jetë pozitive.

“Deri të premten qeveria  ka afat për të dhënë përgjigje. Ne jemi në pritje të saj. Nuk kemi informacion se si do të jetë përgjigja, shpresojmë të jetë pozitive. Po vonohet në kthim të përgjigjes sikurse herën e kaluar. Po lihet dita e fundit e afatit ligjor”, ka thënë Jashari.

Më tutje, Jashari ka thënë se gjendja ekonomike e qytetarëve është e rëndë dhe se mezi po presin që ky Projektligj të votohet pro.

“Fatkeqësisht qytetarët janë në gjendje të rëndë, në borxhe dhe nuk po mund të presin, nuk po i durojnë vonesat. Çdo ditë po marr mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, mezi nuk presin të dalë në votim dhe të votohet pro, që t’i tërheqin kursimet e tyre dhe që sadopak ta lehtësojnë krizën”, ka thënë ai.

Zyrën e kryeministrit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me opinionin për Projektligjin e Trustit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës, ka reaguar pas propozimit të të dërguarit…