Tërheqje e imponuar për restaurimin e një shtëpie

09 shkurt 2022 | 14:00

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Xhafer Deva është një figurë kontroverse rreth të cilit thyhen shumë shpata dhe mendime; nacionalistët dhe patriotët shqiptarë e ngrenë në piedestalin e një figure të pakontestueshme patriotike që tërë jetën ia kushtoi luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar ndërsa komunistët jugosllavë dhe shërbëtoret e tyre e konsiderojnë si një kolaboracionist, në shërbim të nazizmit dhe fashizmit përgjegjës për krime ndaj serbëve, hebrenjve dhe komunistëve shqiptarë.
Xhafer Deva kishte lindur në Mitrovicë dhe ishte intelektual i shkolluar që shërbeu si ministër për Punë të Brendshme në qeverinë shqiptare me kryeministër, Rexhep Mitrovica. Ishte koha kur shqiptarët e okupuar nga zgjedha sllave frymonin më lirshëm dhe kur arsimi në gjuhën shqipe shënoi përparim të madh. Nacionalistët dhe patriotët shqiptarë e çmonin rolin e Xhafer Devës kurse komunistët serbë dhe zorra e trashë e tyre në trajtën e komunistëve shqiptarë e konsideronin tradhtarë sepse këta nuk angazhoheshin për fe dhe atdhe por shërbenin qençe serbëve. Xhafer Deva kishte një shtëpi në Mitrovicë, thuaja buzë shkatërrimit dhe kur, më në fund u mor një vendim për restaurim si vlerë e trashëgimisë kulturore, Serbia reagoi e para, pastaj ambasadori gjerman në Kosovë dhe disa figura aspak të shquara për kontribut për çlirim dhe liri të Kosovës, përkundrazi o tërë trungu i tyre gjenealogjik kishte qenë në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë ndërsa këta bëjnë shtatë palë qejfe në Kosovën e lirë dhe të pavarur në saje të kontributit që ua bënë serbëve paraardhësit e tyre biologjikë dhe politikë. Pastaj, si kujdestare e përhershme apo ndrikulla e liberalizimit të dështuar të vizave për Kosovën reagoi Violina e çakorduar Von Kramon sikur edhe mbështetësit financiarë të këtij restaurimi, BE dhe UNDP. Ministria e Kulturës u tremb më shumë se që duhej dhe ky restaurim u ndalë, më shumë për t’i bërë qejfin Serbisë se për shkak të kaluarës së Xhafer Devës. Realisht, gjithkund në botë janë restauruar dhe mirëmbajtur të gjitha objektet që ndërlidhen me nazizmin, Hitlerin, Musolinin, Sasakavën, Vishin, Pinoçetin, Frankon dhe të tjerët, jo për të afirmuar politikat e tyre pir për ta ruajtur kujtesën historike. Pse shtëpia e Xhafer Devës duhet të paraqes përjashtim kur personaliteti i tij konsiderohet si vlerë e përjetshme politike dhe kombëtare te ata shqiptarë që nuk e kanë përkrahur asnjëherë komunizmin. I mjerë dhe i pashpresë është ai popull që, nën presion të antivlerave kombëtare dhe për shkak të oportunitetit politik heq dorë nga vlerat e mirëfillta kombëtare. Një intelektual me proveniencë jugosllave thotë se Xhafer Deva paska vrarë 40 veta në Tiranë, shqiptarë dhe të huaj por nuk e përmend faktin se komunistët serbë, jugosllavë dhe shqiptarë vetëm në Drenicë dhe në Mal të Zi kanë vrarë mbi 20,000 shqiptarë që nuk u pajtuan me mbetjen në Jugosllavi. Nga viti 1945 e deri në vitin 1999 po këta komunistë bënë krime të papara ndaj patriotëve shqiptarë për të cilën e kishin përkrahjen mbetjet sllave dhe serbe që flasin shqip. E pabesueshme! Apo pritshmërisht e besueshme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Një letër” titullohet kënga e fundit e  publikuar ditë me…