Terrori shtetëror jugosllav ndaj krijuesve ishte i dhunshëm dhe barbar

19 shkurt 2020 | 11:19

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

– Të nderuar familjarë të shkrimtarit Azem Shkreli!                                             

– E nderuar Ministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Vlora Dumoshi!

– E nderuar drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, zonja Jehona Shyti

– Të nderuar anëtarë të jurisë!                                                                               

– Të nderuar miq e kolegë të pranishëm!

Sot vërtet jam shumë e nderuar që më jepet Çmimi Jetësor “Azem Shkreli”, një çmim që është një më prestigjiozët letrar që jepet në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, ndihem krenare edhe për arsye se këtë çmim ma jep Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, po ashtu edhe për emrin e poetit që mban emrin “Azem Shkreli” e që, ndaj veprës së shkrimtarit, kam një vlerësim të veçantë.

Nis Peterson, poet danez, duke folur për rëndësinë e poezisë, thotë: “Mëso, se kur mungon fantazia, sundojnë vrazhdësia, egoizmi, vdekja. Mëso, se pa poezinë njeriu nuk do të ishte i aftë për ndjenja të thella si: dashuria, patriotizmi, malli ose synimi për një botë të përkryer”.

Andaj, shtrohet pyetja, Azem Shkreli, ishte poet, shkrimtar, humanist, tregimtar, romancier, dramaturg, apo që të gjitha i kishte me bollëk?! Duke i njohur shkrimet e njeriut të penës e të shkrimtarisë, jo vetëm në Kosovë, besoj se vepra e tij do të qëndrojë si pikë referimi për shumë gjenerata të ardhshme se nën 1: për shkak të prozës së bukur që e karakterizon; dhe, nën 2: për shkak të poezisë të konceptuar e të menduar, mbi bazën e një varg simbolesh, metaforash, me të cilat trajton dhe artikulon tema, motive, ngjarje e aspekte nga historia jonë e dhimbshme. Poezi që këndojnë momente të  trishta. Ankthe të papërshkruara të njerëzve të nënqiellit tonë. Por, mbi të gjitha, do të jetoj gjatë, për faktin se ajo rrok në mënyrë mjeshtërore thelbin e fuqisë shpirtërore, qartësinë morale, brishtësinë njerëzore dhe synimin hyjnor që karakterizonin njerëzit në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare.

Të nderuar të pranishëm,

I kam lexuar shumë herët veprat e shkrimtarit Azem Shkreli, por në vitet ’80, thënë sinqerisht, iu kam rikthyer edhe një herë, atëherë kur poezia shqipe filloi të akuzohej dhe të diskriminohej tej mase. Por, gjithsesi duhet shtuar se poetët dhe historia e poezisë shqipe në ish-Jugosllavi mund të thuhej se ishte një ndër më tragjiket në Evropë. I ashtuquajturi “realizëm socialist”, si në asnjë vend tjetër të botës, e kishte shterpëzuar dhe vrarë gjysmëshekulli të kulturës sonë kombëtare. Kundër krijuesve shqiptarë ishte ushtruar një dhunë dhe një masakër e programuar dhe e padëgjuar ndonjëherë.

Dhe, poetët ishin ata, të nderuar të pranishëm, që me një gjuhë tjetër e shprehen urrejtjen ndaj robërisë dhe dashurinë e madhe ndaj lirisë. Andaj, sistemi komunist jugosllav i frikësohej tej mase zërit të poetëve, ndaj kishte vendosur ta përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre punëtorët e UDB-së dhe hetuesit e shumtë për t’i ndjekur ata. Në ish-Jugosllavi nuk dënoheshin vetëm poetët e shkrimtarët, por në të dënoheshin edhe veprat e tyre, madje… madje përdhoseshin edhe varret, ku preheshin eshtrat e shkrimtarëve. Terrori shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi ishte kthyer në një Had të vërtetë e të llahtarshëm.

E poeti Azem Shkreli, edhe pse fliste me gjuhën e Ezopit, çdo gjë ishte e qartë për lexuesin e vëmendshëm, e nëpër këtë rrugë kishin kaluar shumë penda të ndritura të letërsisë shqipe. Po citoj vetëm 2-3 vargje të poetit nga poezia “Zjarrmia”:

Tash sa kohe

po don të gdhijë

e s’po mundet…

Dhe, përsëri dua të shtoj, se të marrësh një çmim si ky, nga njerëz që dinë dhe çmojnë veprimtarinë time krijuese, e aq më shumë, në datëlindjen e 12-të të Pavarësisë së Kosovës, është një nder e krenari, por edhe një emocion ngazëllimi e obligimi bashkë.

Të nderuar të pranishëm,

Asnjëherë nuk kam punuar për çmime letrare. Kam shkruar, se e kam ndjerë se duhet të shkruaj. Se njeriu në këtë botë nuk vjen vetëm për vete, por ka edhe një mision të veçantë, se të shkruash, të botosh, të lësh diçka mbrapa, do të thotë ta sfidosh veten, rrethin dhe vdekjen.

Andaj, brenda çdo krijuesi, përveç dhuntisë artistike, ekziston edhe përvuajtja. Shkrimtari duhet ta reformojë veten si njeri, që mund të sjellë një model i cili do të të merret si sinjal i civilizimit shpirtëror. Në të gjitha kohët shkrimtarët kanë përjetuar, se të pasurit talent nuk është gjithçka. Duhet një punë shumë e madhe, shumë sakrifica, shumë vuajtje, shumë kohë, sa vetëm ai që shkruan mund ta imagjinojë tërë këtë. Edhe mua më ndodh e njëjta gjë. Sigurisht, për çdo krijues letërsia kërkon sakrifica të paimagjinueshme. Meditimi i jetës së njeriut nuk është si një film i thjeshtë të cilit i dihet fundi… por ajo vazhdon… vazhdon… të jetë enigmë e pazbërthyer.

Andaj, më lejoni krejt në fund, sadopak t’i bëj falënderimet e mia.

Fillimisht falënderoj propozuesit për këtë çmim: Editorin e shtëpisë botuese “Rozafa”, z. Ramadan Mehmeti nga Prishtina, Klubin Letrar “Nositi” nga Dardana, z. Nexhat Rexha, të  cilët më kanë propozuar për Çmimin Kombëtar Letrar “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore.

Falënderoj jurinë e cila u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time.

Falënderoj ministren e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zonjën e nderuar Vlora Dumoshi, e cila, bashkë me stafin e saj, dëshmuan se çmojnë vlerat që janë krijuar dhe krijohen në Kosovë, në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen edhe sot në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, falënderoj familjen time, bashkëshortin Tefikun, fëmijët Artën e Agonin, që më përkrahën në çdo rrugëtim të jetës.

Dhe krejt në fund, uroj kolegët e mi, që gjithashtu janë fitues të çmimeve për veprat më të mira, nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës  dhe e përkthimit letrar, të botuara gjatë vitit 2019, duke u dëshiruar në të ardhmen shëndet dhe suksese të reja në vitet që vijnë.

Të gjithë juve, ju uroj Ditën e Pavarësisë dhe ju falënderoj për vëmendjen!

 (Fjalë e mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Kombëtar “Azem Shkreli” në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, më 17 shkurt 2020, në Prishtinë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës është emëruar zëvendësministër…