Tetë kandidatë në garë për vaksinën për koronavirus

05 maj 2020 | 09:58

Në garën për një vaksinë për t’i dhënë fund pandemisë globale COVID-19, tetë pretendentë janë përpara pjesës tjetër të konkurrentëve. Këta tetë kandidatë për vaksina po kryejnë testime njerëzore në klinika në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Britani dhe Gjermania. Pas tyre, të paktën 94 të tjerë janë në faza të ndryshme të zhvillimit.

Administrata Trump po bën presion që deri në fund të vitit të ketë qindra miliona doza të një vaksine në dispozicion. Sidoqoftë, ekspertët thonë se shpejtësia e paparë rrezikon të anashkalojë aspekte të sigurisë dhe nuk ka asnjë garanci se ndonjë prej vaksinave do të funksionojë.

“Më shqetëson fakti se ne nuk do të dimë çështje kryesore në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin nëse planifikojmë ta administrojmë atë shpejt”, tha Paul Offit, drejtor i Qendrës për Edukimin ndaj Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.

Tri kategori

Tetë kandidatët për vaksina renditen në tri kategori.

Një kategori mund të quhet teknika klasike: nxitja e sistemit imunitar të pacientit për t’iu përgjigjur virusit duke injektuar një version të vrarë të tij. Tre grupe të veçanta të studiuesve kinezë po testojnë vaksinat e virusit joaktiv.

Një metodë e dytë përdor një virus për të luftuar një tjetër.

Pavarësisht nëse shkakton COVID-19, sëmundjen Ebola ose ftohjen e zakonshme, një virus është në thelb vetëm një zarf që përmban udhëzime për ta shumëfishuar virusin.

Në këtë strategji të re për vaksinat, shkencëtarët heqin udhëzimet nga një virus dhe i zëvendësojnë ato me udhëzime për të prodhuar vetëm një pjesë të koronavirusit.

Injektimi i virusit të modifikuar nuk shkakton sëmundje. Virusi infekton disa nga qelizat e pacientit, por në vend të kopjeve të virusit infektiv, këto qeliza prodhojnë një pjesë të koronavirusit. Sistemi imunitar i pacientit përgjigjet ndaj proteinës së koronavirusit, në mënyrë që të mund të luftojë kundër pushtuesit të vërtetë më vonë.

Dy grupe të ndara në Kinë dhe Britani po ndjekin këtë qasje.

Një strategji e tretë e re heq ndërmjetësin. Në vend se të japin udhëzime në një virus, studiuesit injektojnë kodin gjenetik të një pjese të koronavirusit direkt te pacienti në formën e ADN-së ose ARN-së.

Dy grupe janë duke punuar me vaksinat e ARN-së dhe një me ADN.

Metodat më të reja janë të shpejta dhe të elastike, sipas Kimberly Taylor, drejtuese e seksionit të zhvillimit të vaksinave në Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive. “Këto vaksina janë shumë të mirë për rastet e pandemisë, sepse zakonisht janë shumë të shpejta për tu provuar dhe, mund të hyjnë shumë shpejtë në provat klinikë,” tha ajo.

Të mirat dhe të metat

Secila teknikë ka të mirat dhe të metat e veta.

“Nuk do t’i vendosim të gjitha vezët në një shportë,” tha drejtori pranë Qendrës së Vaksinave të Universitetit Emory, Walter Orenstein. “Grupe të ndryshme po kërkojnë të shohin se çfarë do të funksionojë dhe çfarë nuk mund të funksionojë.”

Sistemi i virusit të vrarë është më i provuari. Por duke vrarë virusin mund të ndryshosh formën e tij. Sistemi imunitar mund t’i përgjigjet virusit të vrarë ndryshe nga ai i vërtetë.

Strategjia e ndryshimit gjenetik të viruseve është një strategji e re dhe nuk është e qartë se sa mirë do të funksionojnë viruset e bartësve të ndryshëm. Në disa raste, njerëzit mund të kenë qenë tashmë të ekspozuar ndaj virusit bartës, i cili do të zvogëlonte efektivitetin e tij.

Vaksinat e ADN-së kërkojnë pajisje speciale.

“Nuk është aq e thjeshtë sa të përdorësh një gjilpërë dhe shiringë. Duhet të kesh një pajisje të tërë,” thotë Taylor.

‘Asnjëherë s’i dihet’

Ekspertët janë të shqetësuar se afati jashtëzakonisht i ngjeshur nuk do të lejojë kohë për përgjigje përfundimtare nëse një vaksinë është e sigurt dhe e efektshme.

Zhvillimi i një vaksine zakonisht zgjat rreth 20 muaj. Zakonisht testohet në dhjetëra mijëra njerëz përpara se të miratohet për një shpërndarje më të gjerë, sepse çështjet e sigurisë mund të mos jenë menjëherë të dukshme.

Për shembull, në një provë klinike të 35,000 pacientëve, studiuesit zbuluan se një vaksinë e etheve tropikale bëri më shumë dëm sesa të mira për fëmijët nën 9 vjeç të cilët nuk kishin pasur asnjë rast të sëmundjes para se të merrnin vaksinën. Ata zhvilluan raste më të rënda të etheve tropikale sesa ata që nuk ishin vaksinuar para infeksionit të tyre të parë.

“Asnjëherë nuk i dihet derisa të bëhen prova tek një numër i madh njerëzish,” tha Offit. “Atëherë dhe vetëm atëherë zbulon se çfarë është e vërteta.”

Sidoqoftë, njerëzit mund të ulin standardet e tyre për një vaksinë të koronavirusit.

“Për shkak se njerëzit janë të frikësuar në mënyrë të arsyeshme nga ky virus, mendoj se ata janë të gatshëm të pranojnë një nivel të caktuar rreziku që nuk do ta pranonin normalisht,” shtoi Offit.

Meqenëse shpejtësia është me rëndësi të madhe, prodhuesit duhet të rrisin prodhimin përpara se të dinë nëse vaksina e tyre funksionon.

“Nëse jeni prodhues, cila është gatishmëria juaj për të prodhuar sasi të mëdha nëse rezulton se vaksina juaj dështon?” pyeti Orenstein.

“Dhe si do ta mbështesim rrezikun? A duhet të ketë ndonjë fond për të thënë, ‘Nëse zhvilloni një vaksinë, ne do ta blejmë atë edhe nëse na duhet ta flakim poshtë sepse vaksina nuk funksionon ose është e pasigurt? ”

Qeveria amerikane ka nënshkruar marrëveshje me dy kompani vaksinash që arrijnë në gati 1 miliard dollarë e që përfshinë rritjen e prodhimit.

Rezultatet e testit të vaksinave janë akoma disa muaj larg për të gjithë kandidatët. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë e Indisë ka njoftuar sot se deri…