Teuta – Vajza që rilindi nga hiri i dhimbjes

18 prill 2025 | 21:16

Shkruan: Bujar Dugolli

Gjatë homazheve të djeshme në Kompleksin Përkujtimor të Poklekut në Drenicë, pata nderin të takoj një grua që është vetë dëshmi e gjallë e dhimbjes, por edhe e qëndresës sonë si popull. Ajo është Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, mësuesit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ymer Elshani.

Teuta është e mbijetuara e vetme e familjes Elshani. Në pranverën e vitit 1999, ndërsa ndodhej në studime në Prishtinë, ndodhi masakra e Poklekut – një nga krimet më të tmerrshme të kryera gjatë luftës në Kosovë. Forcat serbe ia morën jetën dy prindërve të saj, Ymer dhe Nafie, katër vëllezërve: Ardianit, Miranit, Kujtimit dhe Nderimit, si dhe gjyshes Naile dhe kunatës Shukrije. U shua një familje e tërë – mbeti vetëm Teuta.

Njëri nga vëllezërit e saj, Ardiani, ishte shoku im i dhomës për dy vjet gjatë studimeve. Student i matematikës, por gjithmonë i sinqertë dhe i dashur me të gjithë. Fliste me shumë dashuri për familjen dhe motrën, Teutën. Më tregonte për babanë, Ymerin, i apasionuar pas letërsisë, historisë dhe dijes, që kishte vendosur t’u jepte fëmijëve emra shqip, si shenjë krenarie kombëtare. Vajzës së vetme ia kishte vënë emrin Teutë, në nder të mbretëreshës ilire, siç thoshte Ardiani.

Sot, Teuta është grua, nënë dhe profesioniste që jeton me familjen e saj në SHBA. Ajo nuk u dorëzua kurrë. Nuk e humbi shpresën, as besimin, as dashurinë për Kosovën. E ka ndërtuar jetën nga hiri i dhimbjes dhe ka ringjallur kujtimin e familjes së saj, duke u dhënë fëmijëve të saj emrat e vëllezërve të vrarë. Një gjest i madh, që lidh të kaluarën me të ardhmen.

Kur e shoh përkushtimin e saj, forcën dhe dashurinë që ka për jetën, familjen dhe atdheun, nuk mund të mos mendoj se ndoshta Ymer Elshani e kishte parandjerë… se vajza e tij do t’i ngjante mbretëreshës ilire, jo vetëm në emër, por edhe në shpirtin e pathyeshëm.
Shëndet e jetë të gjatë për Teutën dhe familjen e saj të rilindur!

Nder dhe respekt pa fund për familjen e shkrimtarit dhe veprimtarit Ymer Elshani.
Të tillë njerëz nuk vdesin kurrë, ata jetojnë në kujtimin tonë, në frymën tonë, në vetë qenien tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Sot, motrës sime, Majlindës iu shtua titulli Master në Shëndet…