Thaçi: Largimi i serbëve nga FSK-ja është i organizuar

09 korrik 2018 | 13:50

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se po zhvillohen bisedime me disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kthimin e tyre në këtë Forcë, duke nënvizuar se askush nuk do të mund të pengojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, presidenti Thaçi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e transformimit në ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri shumetnike, me standarde të NATO-s, gjithëpërfshirëse, në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Do të jetë një ushtri me qëllim e vizion të sigurt për anëtarësim në NATO. Do të jetë një ushtri mbrojtëse dhe natyrisht me synimin për pjesëmarrje në misione paqësore ndërkombëtare. Paraqet mesazhin e paqes dhe në asnjë rrethanë kërcënim për askënd”, ka theksuar Thaçi, duke shtuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë konsultime, biseda të brendshme me pjesëtarët serbë të FSK-së rreth këtyre zhvillimeve, duke potencuar se askush nuk do të mund të ndalë transformimin e kësaj force në ushtrinë e Kosovës.

“Shihet që është një synim i organizuar. Tash për tash nuk mund të them që ka motiv të qartë politik, por autoritetet dhe zyrtarët, eprorët e lartë të FSK-së janë duke i dëgjuar opinionet e secilit veç e veç me mirëkuptimin më të madh që ata të vazhdojnë punën, të luajnë rolin e vet që u takon për vendin e vet. Tek e fundit Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Por, një gjë mund ta them, askush as në Kosovë e as jashtë Kosovës nuk mund ta frenojë të drejtën e Kosovës si vend i pavarur e sovran që ta ketë ushtrinë e vet. Kjo punë tanimë është e kryer”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur…