Thaçi dhe Veseli do ta madhështojnë UÇK-në

26 qershor 2020 | 22:42

Visar Zekaj

Presidentit të Kosovës, shkëlqesisë së tij, zotëri Hashim Thaçi, pra ish-drejtorit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe bashkëluftëtarit të tij të pandashëm e të pandalshëm, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përkrah tyre edhe shumë personave të tjerë të së njëjtës ushtri, ka nisur t’i punohet një dredhi në Hagë, me prokurorë specialë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm, nëpërmjet ngritjes së një akuze për shumë krime e për lloje të ndryshme të krimeve të pabëra dhe të paqena, me të cilat dyshime ata vetëm se po e njollosin në gjithë botën Kosovën, luftën e pastër të UÇK-së, udhëheqësit kryesorë të saj. Me këto akuza, e të tilla të ngrehura ndër vite, ata kanë dëmtuar të tashmen dhe të ardhmen e kombit dhe të shtetit tonë. Megjithatë, s’dyshoj unë, siç nuk dyshojnë miliona bashkëkombës që e kanë përjetuar luftën në Kosovë dhe kanë dëgjuar për të, se ushtarët dhe udhëheqësit e saj kanë bërë luftë të pastër, se moralin në luftën e kanë pasur shumë njerëzor.

Prandaj, në të tilla raste, kur institucione të gjyqësisë ndërkombëtare nisin sulmet ndaj UÇK-së, mendjet e qeta dhe rebele, të dala nga lufta e përgjakshme dhe me shumë sakrifica e të tjerat të shkolluara e të informuara për luftën tonë ndaj pushtuesit serb, s’kanë si ta qetësojnë mendjen kur atë e trazojnë në rastet më të rëndësishme për shtetin dhe kombin shqiptar, gjykatat e huaja, të cilave shumë bashkëluftëtarë të Thaçit e të Kadriut u janë përgjigjur nga disa herë dhe po aq herë janë kthyer në Kosovë faqebardhë dhe me atë faqe e kanë zdritur fytyrën e luftës së vet, të bërat dhe të bëmat e ushtrisë sonë, në çdo vend të botës.

Me një faqe të tillë, me qëndrim vertikalisht e me ndjenjë krenarie dhe pathyeshmëri, do të shkojnë, mbase për herë të fundit, të dëshmojnë e të kthehen në Kosovë edhe dy heronjtë më të ri të kombit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Dhe edhe këta, ashtu si të tjerët para këtyre, me dëshmi e pastërti do ta madhështojnë UÇK-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të…