Thaçi diskuton me liderët për një qeveri të re apo zgjedhje

01 prill 2020 | 12:20

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur serinë e takimeve me liderët e partive politike në kuadër të konsultimeve për gjetjen e zgjidhjes pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Qysh në nisje të këtyre konsultimeve, Thaçi ka hasur në qëndrimin e prerë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, se mund të bisedohet vetëm për një opsion – caktimin e kohës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kurti, përfaqëson subjektin fitues të zgjedhjeve të fundit, të 6 tetorit, 2019, andaj edhe bisedimet kanë nisur me të, siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.

Menjëherë pas përfundimit të takimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit, zgjedhjet mund të shtyhen për pak ditë, por sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër.

“Kushtetuta e Kosovës nuk krijon mundësi në kontekstin aktual politik që ne të kemi qeveri të re pa kuvend të ri, pa zgjedhje të reja. Presidenti u zotua që do të respektojë Kushtetutën, ligjin dhe praktikat e mëhershme. Prandaj ne e theksuam qëndrim tonin që presidenti i Kosovës realisht nuk do të duhej të merret me emra njerëzish e parti, por data për zgjedhje të reja në kalendarin e këtij viti”, tha Kurti.

Edhe para se të niste takimin me presidentin Thaçi, kryeministri në detyrë Kurti përmes një letre publike i ka shkruar Thaçit se çështja e vetme që do të bisedojë në takim është koha më e përshtatshme për shpërndarjen e kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

“Me shumë kënaqësi do të takohem me ju për të folur për hapat e mëtejmë sipas Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Po ashtu konsideroj se zotimi juaj se do të ndërmerrni hapa është shenjë pozitive për Kosovën. Shpresoj shumë se gjatë ditëve në vijim do t’i qëndroni besnik këtij zotimi. Si kurrë më parë Kosova ka nevojë për një president që respekton Kushtetutën deri në çdo pikë e presje të saj”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.

Për dallim nga Kurti, i cili ka dhënë si opsion që qeveria aktuale në detyrë të vazhdojë punën deri në përfundimin e fazës së pandemisë së shpallur për shkak të koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje, Thaçi gjatë këtyre ditëve ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse.

Presidenti Thaçi gjatë ditës ka pritur edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Mustafa pas takimit deklaroi se LDK-ja është që të bëhet një qeveri e re, duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese edhe procedurën që e ka paraparë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Besoj që presidenti i Kosovës do të ndjekë të gjitha procedurat që i ka paraparë Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese sepse ne si LDK nuk do të hyjmë në një proces për të cilin nuk do të kemi besim të plotë që është proces kushtetues dhe i ka shterur të gjitha mundësitë dhe rrugët kushtetuese”, tha Mustafa.

Thaçi po ashtu sot u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit nga ana e 82 deputetëve të kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës parasheh se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.

Ndërkaq në nenin 82 thuhet se “kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë”.

Por, për rrethanat aktuale shpërndarja e menjëhershme e kuvendit nga lidershipi i Kosovës po konsiderohet si moment jo i përshtatshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partnerët e koalicionit gjatë 50 ditëve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mospajtime.

Mospajtimet të mëdha mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ishin në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, masë kjo e cila është shfuqizuar tani dhe me Serbinë është vendosur reciprocitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi një prej deputetëve bullgarë rezultoi pozitiv ndaj testeve për…