Thaçi e quan politik dhe pa bazë ligjore vendimin për shkarkimin nga pozita e drejtorit të KEK-ut

28 prill 2020 | 13:26

Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, ka folur për herë të parë në lidhje me shkarkimin nga kjo pozitë.

Thaçi ka thënë se vendimi i Bordit të përkohshëm të KEK-ut për shkarkimin e tij është politik dhe pa bazë ligjore.

“Sa i përket zhvillimeve qe kanë ndodhur në Korporatë nuk do i komentoj sepse nuk është në natyrën time. Konsideroj se janë politike, me qëllime të ulëta dhe pa asnjë bazë ligjore.  Për këtë do të ndjekë vetëm rrugët ligjore”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Më tutje, Thaçi ka treguar se ka pasur disa probleme shëndetësore dhe për këtë ka falënderuar punëtorët e KEK-ut për kujdesin e treguar gjatë këtyre ditëve.

Postimi i plotë i Thaçit:

Të nderuar/a punëtore e punëtor të KEK-ut,

Në pamundësi për të kontaktuar këto ditë për shkak të gjendjes shëndetësore, po ju drejtohem sot me këtë letër falënderimi për kujdesin dhe interesimin qe keni treguar. Unë tani jam mirë dhe në top formë.

Sa i përket zhvillimeve qe kanë ndodhur në korporatë nuk do i komentoj sepse nuk është në natyrën time. Konsideroj se janë politike, me qëllime të ulëta dhe pa asnjë bazë ligjore.

Për këtë do të ndjekë vetëm rrugët ligjore.

Jam shumë i lumtur qe pavarësisht shqetësimeve dhe turbulencave nga jashtë e brenda keni treguar disiplinë dhe përgjegjësi të lartë.

Mbi çdo interes individual e grupor në KEK gjithmonë ka dominuar interesi i përgjithshëm dhe fryma kolektive. Kjo është dëshmi e rezultateve të jashtëzakonshme qe kemi arritur në tejkalimin e të gjitha caqeve.

Kompania publike me përformancën me të mirë në nivel vendi dhe me arritjen e profitin më të lartë dhe rekord në tri vitet e fundit.

Jemi dëshmuar edhe në këto ditë të vështira pandemie ku me guxim, punë e përgjegjësi po arrimë rekord në prodhim maksimal të energjisë elektrike.

Korporata Energjetike e Kosovës është aset i gjithë qytetarëve të saj dhe përgjegjësi e jona është të jemi në shërbim të qytetarëve.

Mirënjohës dhe falënderues për të gjithë,

Shihemi se shpejti,

Me respekt,

Njazi Thaçi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në veri të Kosovës dy persona kanë vdekur në 24…