Thaçi e Veseli dënojnë sulmin ndaj deputetit Petroviq

20 mars 2019 | 14:57

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se sulmi ndaj deputetit Sllobodan Petroviq, është sulm ndaj fjalës së lirë.

Presidenti ka kërkuar nga institucionet e zbatimit të ligjit që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që sulmuesit t’i sjellin para drejtësisë.

“Sulmi ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sllobodan Petroviq, i cili është edhe kryetar i Partisë Liberale Serbe, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit. Si President i Republikës së Kosovës e dënoj ashpër këtë sulm dhe nga institucionet e zbatimit të ligjit kërkoj që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që sulmuesit t’i sjellin para drejtësisë. Integrimi institucional dhe pluralizmi politik duhet të jenë vlera të përbashkëta demokratike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Sulmin ndaj deputetit Petroviq e ka dënuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai ka inkurajuar organet ligjzbatuese ta zbardhin në mënyrë të plotë këtë ngjarje të rëndë.

“Dënoj ashpër sulmin ndaj Deputetit të Kuvendit të Kosovës, z. Sllobodan Petroviq dhe shpreh solidaritetin e mbështetjen ndaj tij. Po ashtu inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin në mënyrë të plotë këtë ngjarje të rëndë e të venë para përgjegjësisë së ligjit këdo që qëndron pas saj. Vlera si liria e mendimit, e besimit dhe e bindjeve vetjake janë në themel të shoqërisë sonë demokratike e askush nuk duhet të lejohet t’i prekë ato nëpërmjet dhunës dhe gjuhës së urrejtjes”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Deputeti Petroviq është sulmuar sot në një restorant në afërsi të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, siç ka thënë vet Petroviqi nga zyrtarë të Listës Serbe.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iker Casillas do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Portos.…