Thaçi: Qëndrimi i institucioneve për referendumin e Serbisë në Kosovë, i drejtë

14 janar 2022 | 15:31

Opinionisti Jusuf Thaçi, ka thënë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës dhe opozitës që referendumi i Serbisë në Kosovë të mos lejohet është i drejtë.

Ai ka vlerësuar se askush nuk duhet që të tërhiqet nga ky qëndrim pavarësisht presioneve të jashtme.

“Qëndrimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, i përkrahur edhe nga të gjitha partitë opozitare parlamentare, për moslejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë është qëndrim i drejtë, nga i cili nuk duhet të tërhiqet askush, posaçërisht institucionet shtetërore të Kosovës, pavarësisht presioneve të jashtme”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndër të tjera, Thaçi  ka thënë se është rast i rrallë unifikimi i gjithë spektrit politik kundër cenimit të shtetësisë së Kosovës.

“Unifikimi i gjithë spektrit politik në Kosovë kundër këtij cenimi të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është edhe një rast i rrallë për t’u testuar se çfarë mund të arrijmë nëse jemi unik në mbrojtje të të drejtës. Shpresoj që këtë test ta kalojmë me sukses dhe këtë përvojë/precedent ta përdorim edhe në situata të tjera të ngjashme!”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar në faqen zyrtare kërkesën…