Thaçi tregon arsyet e refuzimit të pjesëmarrjes në Samitin e Ohrit

10 nëntor 2019 | 08:39

Presidenti i Republikes së Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit.

Ai ka thënë se ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

“Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta  zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

“Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar. Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, ka shkruar Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kosovës me origjinë turke, Fikrim Damka, në Asamblenë…