‘The Conversation’ | Pesë çështjet e mëdha që mund të shkaktojnë probleme serioze gjatë këtij viti

06 janar 2024 | 13:16

Nga Jose Caballero “The Conversation”

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, shkaktuan luhatjen e ndjeshme të ekonomisë globale gjatë vitit të kaluar. Pasojat e luftës në Ukrainë, patën jehonë përtej kufirit të këtij vendit. Në Afrikë, grushti i shtetit në Niger dhe Gabon, kontribuoi në tërheqjen globale demokratike të viteve të fundit dhe konflikti Hamas-Izrael ka shkaktuar deri më tani mijëra të vdekur.

Tendenca të tilla të tensioneve midis fuqive të mëdha, të luftës së hapur, rënies së standardeve demokratike dhe luhatjeve ekstreme në tregun e punës ka të ngjarë të vazhdojnë edhe në vitin 2024. Duke pasur këtë në mendje, ja cilat janë 5 tendencat gjeopolitike dhe ekonomike globale që duhen pasur parasysh.

Ndryshimet e fuqisë

Ndërsa organizata BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) po zgjerohet duke përfshirë edhe Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndikimi ekonomik në rritje i saj, mund ta ndryshojë dramatikisht balancën globale të fuqisë.

Nga janari i këtij vitit, BRICS do të përfaqësojë rreth 46.5 për qind të popullsisë së botës, 30.8 trilionë dollarë, ose rreth një të tretën e PBB-së globale dhe 45 për qind të prodhimit global të naftës.

Një pasojë ekonomike është se rrjeti i zgjeruar tregtar i BRICS, mund të zvogëlojë varësinë e tyre nga tregjet perëndimore, sidomos nëpërmjet marrëveshjeve tregtare preferenciale, dhe duke përdorur ndoshta një monedhë të përbashkët. Për vendet që janë sanksionuar nga Perëndimi sikurse është Irani, anëtarësimi në BRICS i shton opsionet e tyre diplomatike.

Kjo mund ta bëjë këtë bllok tërheqës për vendet e tjera që janë nën sanksione. Zgjerimi i BRICS mund t’i japë mundësi anëtarëve që të forcojnë ndikimin e tyre, duke ndjekur më me lehtësi interesat e tyre politike dhe ekonomike. Sfidimi i Perëndimit mund të mos marrë formën e një përplasjeje të drejtpërdrejtë, por do të ndodhë duke u larguar gradualisht nga institucionet aktuale si FMN.

Cikli global i zgjedhjeve

Lista e zgjedhjeve parlamentare këtë vit, përfshin vende nga të gjitha kontinentet dhe pjesëmarrjen e miliarda njerëzve. Më të rëndësishme janë sigurisht ato në SHBA, ku ish-presidenti Donald Trump ka të ngjarë të jetë kandidati republikan. Nëse rizgjidhet në detyrë, ai mund të vazhdojë me politikën e tij të “abstenimit ndaj angazhimit global”, siç dëshmohet nga gatishmëria e tij e shfaqur në mandatin e parë për të dalë nga NATO.

Një qëndrim i tillë, mund ta dobësojë sistemin global ekonomik dhe politik, dhe të kontribuojë në ngritjen e vendeve të tjera që kërkojnë një ndikim më të madh global. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është erozioni i mundshëm i demokracisë. Për shembull në SHBA, po flitet për një diktaturë të mundshme të Trump.

Në Rusi, një fitore e presidentit Vladimir Putin mund ta lërë atë në krye të vendit të paktën deri në vitin 2030, me mundësinë e një mandati të gjashtë deri në vitin 2036 (ose rreth 32 vjet në pushtet). Në vende të tjera, si El Salvador, disa politikanë janë të gatshëm të anashkalojnë kushtetutat e tyre për t’u rizgjedhur ose të pengojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për të monitoruar zgjedhjet, siç po ndodh në Tunizi. Praktika të tilla, ka të ngjarë të dobësojnë institucionet demokratike ose të kufizojnë zhvillimin e tyre.

Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme

Lufta Izrael-Hamas, do të vazhdojë të ketë pasoja përtej Lindjes së Mesme. Rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon është shtuar pas një sulmi ajror në Bejrut. Disa shtete fqinje e kanë dënuar ashpër reagimin e përgjithshëm të Izraelit ndaj sulmit të Hamasit.

Jordania e quajti një “krim lufte”, ndërsa Egjipti një “ndëshkim kolektiv“. Lufta ka të ngjarë të përkeqësojë pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë rajonale. Disa të dhëna sugjerojnë se rritja e paqëndrueshmërisë politike do të ndikojë gjithashtu edhe në shëndetin e institucioneve financiare të rajonit.

Nga ana tjetër, një paqëndrueshmëri më e madhe mund të rrisë fluksin e refugjatëve në SHBA dhe Evropë. Dhe ky i fundit do të përkeqësojë debatin politik tashmë të ashpër mbi politikën ndaj emigracionit. Ndërkaq lufta Izrael-Gaza ka të ngjarë të dekurajojë investimet në Lindjen e Mesme dhe të prishë rrugët tregtare që çojnë në rritjen e kostove të transportit.

Presionet ekonomike që vijnë nga Kina

Kohët e fundit, ekonomia e Kinës është përshkruar si një “minë me sahat”, si pasojë e rritjes së ngadaltë ekonomike, papunësisë së lartë tek të rinjtë, krizës në sektorin e pronave të paluajtshme, investimeve të huaja direkte më të ulëta (IHD) dhe eksporteve më të pakta. Perspektivat e rritjes ekonomike pritet të mbeten “strukturalisht më të dobëta” për shkak të besimit të ulët të konsumatorit, shpenzimeve më të pakta si dhe rënies së kërkesës së jashtme. Dhe një konsum më i ulët brenda Kinës nënkupton kërkesë më të ulët për lëndë të parë dhe mallra, gjë që nga ana tjetër, do të ndikojnë tek eksportuesit më të mëdhenj si Australia dhe Brazili.

Ka shumë gjasa që korporatat shumëkombëshe të përjetojnë një ndikim negativ në fitimet e tyre, sepse po vazhdon zhvendosja e prodhimit dhe diversifikimi i zinxhirit të furnizimit, kjo si rezultat i fërkimeve tregtare midis shteteve por edhe konflikteve të armatosura.

Dhe kjo mund të ketë një efekt negativ, jo vetëm tek furnitorët e tyre, por edhe tek fuqia punëtore e tyre për sa i përket rritjes së pagave, apo edhe rënies apo humbjes së vendeve të punës. Sipas OECD, rritja e rreziqeve për ekonominë e Kinës do të dëmtojë në përgjithësi rritjen ekonomike globale.

Një popullatë në plakje

Në vitin 2022, Japonia, Italia, Finlanda dhe Gjermania ishin ndër vendet me përqindjen më të madhe të popullsisë mbi 65 vjeç. Dhe deri në vitin 2050 parashikohet që kjo listë të përfshijë Hong Kongun, Korenë e Jugut dhe Tajvanin. Deri në vitin 2050, përqindja e popullsisë mbi 60 vjeç në nivel global do të rritet nga 12 në 22 për qind.

Në të njëjtën kohë, po rritet jetëgjatësia e njerëzve. Një tendencë e tillë demografike ka pasoja serioze për sistemet e sigurimeve shoqërore dhe pjesë të tjera të ekonomisë. Do të rriten kërkesat ndaj qeverive dhe sistemeve shëndetësore për më shumë kujdes për shkak të rreziqeve të mundshme në rritje të sëmundjeve tek të moshuarit.

Raporti punëtorë/pensionistë po bie, dhe kjo përbën një presion shtesë mbi qëndrueshmërinë e sistemeve aktuale të pensioneve. Përveç kësaj, ka dëshmi se plakja e popullsisë ndikon edhe tek produktiviteti në punë por edhe tek oferta e krahut të punës. Prandaj, mund të ketë një efekt në rritjen ekonomike, tregtinë, kursimet dhe investimet. Në përgjithësi, 2024 mund të jetë një tjetër vit i vështirë.

Shënim:Jose Caballero, ekonomist në Qendrën Botërore të Konkurrencës në Institutin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit (IMD).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moti me borë dhe reshjet e dendura kanë vazhduar të…