The New York Times: Evropa po përgatitet për NATO-në pa Amerikën

12 shkurt 2024 | 20:07

Gazeta e njohur amerikane “The New York Times”, në një analizë për kërcënimin e ish-presidentit Donald Trump se do të inkurajonte Rusinë që të sulmonte aleatët e NATO-s që nuk e kanë ndihmuar financiarisht aleancën, ka vlerësuar se Evropa veçse ka nisur të mendojë se si të veprojë e vetme në një botë pa SHBA-në, përcjell gazeta online Reporteri.net. 

“Shumë njerëz janë alarmuar nga komentet e Donald Trumpit do ta ‘inkurajonte’ Rusinë që të sulmojë aleatët e SHBA-së që nuk kanë financuar NATO-n, por liderët evropianë tashmë janë duke menduar për mundesinë e aleancës pa praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar gazeta njujorkeze.  

“New York Times” ka vlerësuar se shumë kohë para se Trumpi të kërcënonte se ishte i gatshëm të lejonte Rusinë që të bënte “çfarëdo që të dëshironte” kundër aleatëve të NATO-s që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtjen e përmbashkët, liderët evropianë me qëtësi po diskutonin se si do të bëheshin gati për botën në të cilën Amerika e heq veten si kryeqendër e aleancës 75-vjeçare. 

Gazeta amerikane shkruan se deri më tani, nëpër mediat evropiane është zhvilluar debati nëse Trumpi do të tërhiqte SHBA-në nga NATO-ja në rast se kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor.  

“Mirëpo implikimi më i madh i deklaratës së tij është se mund të ftojë presidentin Vladimir Putin që të zgjedhë një shtet të NATO-s, si paralajmërim dhe mësim për rreth 30 shteteve anëtare që t’i dëgjojnë kërkesat e Trumpit”, shkruan NYT në këtë analizë. 

Deklarata e tij befasoi shumëkë në Evropë, sidomos pas tre vjetëve, gjatë të cilave presidenti Biden, bëri përpjekje që të kthente besimin në aleancë që ishte humbur gjatë katër viteve të Trumpit.  

Gazeta njujorkeze ka shkruar se Bideni vazhdimisht ka thënë se SHBA-ja do ta mbronte çdo cep të territorit të NATO-s, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Dhe teksa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, dënoi komentet e Trumpit si të ‘papranueshme’, të dielën, këto komente ishin pasqyrim i qëndrimeve të shumë ekspertëve se Evropa nuk mund të varet nga SHBA-ja për të frenuar Rusinë”, shkruan NYT. 

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, ka shkruar se “deklaratat e pamatura”, si ajo e Trumpit, “i shërbejnë vetëm interesave të Putinit”. 

Ai ka shkruar se deklaratat e Trumpit i kanë bërë më urgjente përpjekjet e Evropës që të zhvillojë autonominë strategjike dhe të investojë në mbrojtjen e vet. 

Edhe Norbert Röttgen anëtar i komitetit për punë të jashtme në parlamentin gjerman, ka shkruar në platformën “X” se pas deklaratës së Trumpit, të gjithë duhet ta kuptojnë se Evropa shumë shpejtë nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç se të mbrojë veten.  

Krejt këto dyshime pritet të dominojnë bisedat e ministrave të mbrojtjes në NATO, të cilët pritet të takohen të enjten në Bruksel dhe pastaj në Konferencën për Sigurinë në Munich që mbahet të premten.  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”,…