TMERR NË SHKODËR | Nëna me 3 fëmijët hidhen nga ura e lumit Buna, nuk duroi dot dhunën e burrit

05 maj 2024 | 19:29

Tragjedi e dhimbshme ajo që ka ndodhur në Shkodër. Një vajzë 9 vjeçe u gjet e vdekur dhe nëna e saj bashkë me 2 fëmijë të tjerë po kërkohen në ujërat e Bunës dhe Drinit, pasi dyshohet se janë mbytur në një akt vetëvrasjeje që sipas policisë erdhi pas dhunës që burri i të resë dhe baba i tre motakëve ushtronte ndaj tyre.

Ergysi denoncoi zhdukjen e familjes

Më 3 maj 2024, e premte, Ergys Arrazi shkoi në policinë e Shkodrës. Ai denoncoi atje se e shoqja Alma dhe tre fëmijët e tyre, djalin 3, vajzën 8 dhe vajzën tjetër 9 vjeç ishin zhdukur nga banesa dhe nuk dinte se ku gjendeshin.

Ai i tha policisë se familja ishte zhdukur që nga e enjtja 2 maj dhe megjithë kërkimet e tij, nuk po i gjendet dot.

Policia tha se pas kallëzimit u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, policia ngriti dyshimin se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve.

Policia tha se nëna dhe tre motakë dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Dyshimet janë se nëna e dëshpëruar ka marrë tre fëmijët, kanë shkuar tek ura e Bunës dhe janë hedhur që andej, poshtë në lumë duke përjetuar një fund të tmerrshëm.

Piu kafe me kunatën dhe u hodh bashkë me fëmijët

Motra e Ergysit, i tha po policisë se kunata e saj Alma Arrazi kishte pirë kafe me të, por nuk i kishte dhënë ndonjë arsye dhe as kishte shfaqur ndonjë dyshim se pasi të largohej do të shkonte të kryente aktin makabër.

Alma Arrazi kishte mësuar tradhtinë nga burri. Sipas hetimeve, Alma kishte marrë vesh se i shoqi e tradhtonte me një femër tjetër e krahas kësaj, ai ushtronte dhunë fizike dhe verbale ndaj saj dhe tre fëmijëve.

Gjendet trupi i vajzës 9 vjeçe

Mbrëmjen e së shtunës 4 maj, rreth orës 22:00, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të çiftit Alma dhe Ergys Arrazi.

Trupi i të ndjerës u gjet nga peshkatarë të zonës, raporton noa.al.

Policia tha se e mitura dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Babai reagon ftohtë

Ergys Arrazi, e mësoi lajmin e gjetjes së trupit të vajzës teksa ishte nën pranga.

Burimet thonë se ai reagoi ftohtë pas asaj që mësohet.

Kërkohen nëna dhe 2 fëmijët e tjerë 

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 2 fëmijëve të tjerë 8 dhe 3 vjeç.

“Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit”, tha zyrtarisht policia e Shkodrës.

Arrestohet i riu, baba i tre fëmijëve

Policia lokale tha se arrestuan 31 vjeçarin Ergys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna

“Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, deklaroi policia lokale.

Përditësim në vijim…

13.40 – Policia: Vajza e gjetur nuk kishte shenja dhune

“Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për gjetjen në ujërat e lumit Buna, të trupit të pajetë të 9-vjeçares, ju informojmë se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punen për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kujtur dëshmorët e kombit…