Toronto ruan kreun në Konferencën e Lindjes

12 shkurt 2019 | 12:51

Skuadra e Torontos ruan kreun në Konferencën e Lindjes pas fitores 127-125 ndaj Brooklyn, ndeshje u vendos katër sekonda nga fundi, pas një koshi të Leonard (30 pikë). Një ndeshje ku në pjesën e parë ishin mysafirët ata që kishin një avantazh të lehtë (Russell 28 pikë). Por në pjesën e dytë kanadezët përmbysën shifrat, duke fituar edhe falë 40 pikëve që u realizuan nga lojtarët e stolit.

Toronto ndan kreun e renditjes bashkë me Milwaukee, që mundi pa shumë probleme 112-99 Chicago, takim i luajtur në fushën e këtij të fundit. Suksesi i 42-të sezonal për Bucks mban sërish emrin e gjigantit Antetokounmpo, që realizoi 29 pikë e 17 rebound. Fitore pa shumë vlera për renditje e ekipit të Cleveland, që mundi 107-104 New York, sfidë ku u dallua Sexton me 20 pikë.

Oklahoma bëhet forca e tretë në Perëndim, pas fitores 120-111 ndaj Portland, takim ku vendasit patën gjatë gjithë kohës epërsi në parket. Vijon paraqitja e mirë e George, që realizoi një “triple double”, me 47 pikë, 12 rebound e 10 asistime. Një “triple double” realizoi edhe Westbrook, me 21 pikë, 14 rebound e 11 asistime.

Kjo është dyshja e parë në historinë e NBA-së që realizon një “triple double” me mbi 20 pikë të realizuara në një ndeshje. Jo vetëm kaq, por Russell Westbrook vendos edhe rekordin e 10 ndeshjeve radhazi në NBA që realizon një “triple double”, si askush më parë. Ai theu rekordin e 9 ndeshjeve të Wilt Chamberlain. Nuk zhgënjen as skuadra e Denver, që klasifikohet në vendin e dytë në Perëndim. Nuggets mundën 103-87 Miami, duke bërë detyrën, ndeshje ku u dalluan Beasley e Jokiq me nga 23 pikë secili.

Fiton edhe Houston, që falë 31 pikëve të Harden mundi 120-104 Dallas, tjetër ndeshje magjike e “mjekrës”. Ndërsa Minnesota triumfoi 130-120 ndaj Clippers, me Towns që realizoi 24 pikë e 10 rebound. /Telesport/

Rezultatet

Cleveland – New York    107-104
Detroit – Washington     121-112
Indiana – Charlotte         99-90
Toronto – Brooklyn        127-125
Chicago – Milwaukee     99-112
Houston – Dallas            120-104
Minnesota – Clippers     130-120
Oklahoma – Portland     120-111
Denver – Miami               103-87

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea pësoi humbje të thellë nga Manchester City (6-0) dhe…