Trafot e rrymës po shndërrohen në objekte artistike në Drenas

07 qershor 2021 | 15:56

Në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Drenas, trafo e energjisë elektrike ka marrë një pamje krejt ndryshe. Dikur, kjo trafo ishte e mbushur me mbishkrime, por tash e tutje ajo do të jetë pikë referuese.

Kjo pasi ky trafostacion është shndërruar tashmë në një objekt modern artistik nga arti grafik i artistëve vendor.

Njëjtë sikurse kjo trafo, edhe disa të tilla po shndërrohen në objekte artistike në lagje të ndryshme të Drenasit.

E gjithë kjo po mundësohet fal bashkëpunimit të KEDS-it me Komunën e Drenasit, në kuadër të projektit Art n’Trafo.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që trafostacionet e KEDS-it të shndërrohen në objekte urbane, duke i dhënë gjallëri lagjeve ku ato janë të alokuara dhe njëkohësisht të mundësohet promovimi i artit dhe artistëve të rinj.

Se këto projekte po kanë ndikim pozitiv në komunitet e thotë edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, Flutra Avdiu.

“Përmes këtij bashkëpunimi me KEDS-in, ne po bëjmë transformimin e trafove në vepra urbane artistike. Kësisoj, po i japim ngjyra qytetit të Drenasit. Padyshim që e gjithë kjo reflekton në pozitivitet për secilin që kalon andej pari. Ne synojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe me tutje, në mënyrë që artistëve tanë t’u japim hapësirën e nevojshme për të shfaqur veprat e tyre artistike në komunitet”, ka thënë Avdiu.

Ndërkaq, drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj ka thënë se KEDS është i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të jetë në shërbim edhe të komunitetit përmes aktiviteteve në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës.

Projekti Art n’Trafo është nismë e KEDS-it, ku përmes bashkëpunimit me komunat synohet shndërrimi i trafostacioneve në objekte urbane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në…