Trepça dhe studentët, sfidat politike dhe shoqërore ndër vite dhe perspektiva për të ardhmen

06 shkurt 10:51

Shkruan: Ferat SHALA

Tash këtyre ditëve dhe muajve të fundit me intensitet të shtuar po na bëhet problematikë dhe temë ditore rasti Trepça. Kjo temë, mua dhe brezin tim natyrshëm na kthen në një kohë krejt tjetër, në kohën kur ishim të rinj. Në kohën kur ishim studentë, dhe kur para më shumë se tri dekadave studionim në Fakultetin Xehetarë – Metalurgjik në Mitrovicë.

Edhe para tri dekadash ishte po kjo temë dhe shtroheshin po këto dilema, por në një kontest dhe akterë të tjerë. Atëherë ne nuk kishim shtet, por kishim rininë dhe studentët me vete. Pra, ishin një trup i përbashkët, studentët dhe minatorët.

Kreatura Jugosllavi kishte filluar të kalbej. Ndryshimet politike dhe shoqërore në Evropën Juglindore po lëviznin me shpejtësi, garda e vjetër e politikanëve të Kosovës dhe politika e tyre pothuajse ishin në përfundim.

Një pjesë e politikës së asaj kohe hamendeshin para këtij rreshtimi, me NE apo me ATA?

Një pjesë e kësaj politike u rreshtuan me NE pasi ishin harxhuar dhe nuk i duheshin askujt më, ndërsa një pjesë tjetër, filloj po braktisej vetvetiu nga pushteti Serbo Jugosllav. Trepça ishte mundësi, moment, ishte rasti dhe qëllimi që intelektualët, populli, studentët dhe minatorët t’i thonë jo politikës anti-shqiptare dhe anti- Kosovë. Ndoshta si asnjëherë tjetër me greva e protesta dhe me gjithë format e kundërshtimit.

Atëherë, minatorët të futur në grevë, brenda minierave anekënd Kosovës dhe studentët po ashtu në greve në mensë, amfiteatër dhe objekte të tjera universitare po e kundërshtonim suprimimin e autonomisë së Kosovës, po kundërshtonim eksploatimin e Trepçës dhe anekënd vendit po kundërshtonim një pushtim të egër që i bëhej Kosovës.

Sot, pas një dekade të shtet formimit përsëri na shfaqet në top agjendë Trepça, lufta për Trepçën dhe qëndrimet e niveleve të ndryshme ndërkombëtare për të. Fatkeqësisht as atëherë e as sot nuk jemi unikë për të njëjtën temë. Përkundër këtij dallimi sot përparësitë janë në anën tonë, në anën e së drejtës, në anën e shumicës, në anën e atyre që sakrifikuan shumë për Trepçën dhe me Trepçën.

Trepça në këto momente ka një bazë të mirë kushtetuese juridike, si asnjëherë tjetër në historinë shekullore, por nuk mjafton vetëm kjo, tani institucionet dhe Trepça duhet të punojnë në dy fronte. Në frontin e kujdesjes, mbrojtjes dhe avancimit juridik të Trepçës dhe fronti i dytë ristrukturimi i thellë i gjitha resurseve humane, ristrukturim i thellë i metodave dhe praktikave eksploatuse, rivitalizim dhe investim kapital në pajisjet nxjerrëse dhe përpunuese.

Trepça e re, Trepça e jonë, domosdoshmërish duhet të rrugëtojë me një koncept të ri, me mentalitet dhe kulturë të re, drejtë ekonomisë së tregut te lirë. Tani si shoqëri aksionare, punëtorët dhe qeveria janë partner, kanë të ndarë edhe interesat dhe kjo praktikë ekonomike kërkon bashkërendim të hapave operacional investues me kapital të brendshëm apo të jashtëm. Ky proces i rivitalizimit duhet të përcillet me transparencën maksimale dhe pa politikë ditore. Vetëm kështu Trepça e re, mund të kthehet në ndërmarrje likuide, mund të kthehet në tregun e brendshëm dhe tregun e jashtëm. Nëse para tri dekadash kërkohej mund, sakrificë deri ne vetë flijim, kërkohej të protestonim e të demonstronim, kërkohej të burgoseshin e të vriteshin, studentë e minatorë, sot e kemi obligim që të unifikohemi dhe organizohemi për të derdhur djersë.

Çdo vonesë në fillimin e rivializimit të Trepçës ka çmim të lartë, andaj përgjegjësitë për këtë janë obligim moral, institucional e kushtetues ndaj Kosovës.

Në këtë shkrim me shkasë, nuk kam se si mos t’i kujtojë gjeneratat e minatorëve duarartë, por kësaj radhe me theks të veçantë do të kujtojë ish kolegët studentë të Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik, që ishin shumë aktivë në greva, protesta e demonstrata duke dhënë edhe jetën në ballë të demonstratave, siç ishte rasti me studentin Selman Vojvoda, tani dëshmor, i vrarë në demonstrata në Mitrovicë.

Linku i opinionit me fotografi: http://www.feratshala.com/sq/lexo?lid=298&fbclid=IwAR13fzCjt6qiNIeQf3mssQkypX9ZlT8mBwIEK0f36NKjLwU2BmyzycFXWww.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara