Tri pikëkalime kufitare me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara për kamionët dhe autobusët

20 qershor 2023 | 12:57

Pikëkalimi kufitar në Merdare, që lidh Kosovën me Serbinë, vazhdon të jetë i bllokuar për kamionë dhe autobusë, ndërkaq përmes tij mund të kalojnë veturat private. Situatë e ngjashme është edhe në pikën kufitare në Jarinjë, ndërkaq ajo e Bërnjakut është krejtësisht e bllokuar për hyrje dhe dalje.

Zyrtarët policorë në Merdare i kanë thënë “Radios Evropa e Lirë” se pavarësisht se rruga mbetet e bllokuar, veturat private mund të kalojnë, por qytetarët po shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare me Serbinë.

Qarkullimi i veturave është orientuar tashmë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, në afërsi të Kamenicës.

Autoritetet në Kosovë kanë bëtë me dije mbrëmjen e 19 qershorit se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet në Jarinjë dhe Merdare.

Në Merdare nuk ka kolona as të veturave private e as të kamionëve e mjeteve të tjera transportuese.

Autobusët dhe kamionët nuk kanë kaluar nëpër këtë pikëkalim që nga orët e para të mëngjesit të 20 qershorit.

Gazetarët e “Radios Evropa e Lirë” kanë parë disa vetura private me targa të Serbisë duke hyrë në Kosovë, përmes Merdares. Shoferët e këtyre veturave, me të cilët ka biseduar “REL”-i, kanë thënë se në terrorin e Serbisë bllokadat janë shkaktuar nga qytetarët dhe vendosja e kamionëve në rrugë. Megjithatë, sipas shoferëve, ata po lejojnë që veturat me targa serbe, të kalojnë.

Po ashtu, në Merdare janë parë edhe disa vetura me targa RKS – Republika e Kosovës – duke shkuar drejt territorit të Serbisë.

Dragan Millosheviq, një nga pjesëmarrësit në bllokadën afër Merdarës, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se që atëherë pjesëmarrësit në bllokadë nuk i kanë lejuar kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës të vazhdojnë të lëvizin në të dy drejtimet.

“Mbrëmë, pesë kamionë tërheqës kanë ardhur nga drejtimi i Kosovës dhe janë kthyer pas disa orësh pritje. Nuk na kanë munguar as pesë autobusë, kështu që edhe ata janë kthyer në Kosovë. Kamionët dhe autobusët e Kosovës që vijnë nga drejtimi i Nishit po kthehen mbrapa dhe po shkojnë në vendkalimin në Konçul afër Bujanocit, i cili është i hapur për qarkullim”.

“Në këtë mënyrë kemi dashur t’i përgjigjemi ndalimit të Prishtinës për hyrjen e kamionëve serbë me mallra nga Serbia për të hyrë në Kosovë. Nuk është normale që kamionët e tyre të kalojnë pa pengesa nëpër rrugët e Serbisë dhe të shkojnë për të marrë mallra në Hungari dhe Kroaci, dhe kamionët tanë nuk mund të kalojnë Jarinje, Bërnjak dhe Merdare”, ka thënë Millosheviq, duke shtuar se bllokada është organizuar edhe për t’i mbështetur serbët në veri të Kosovës.

Sipas deklaratave të tij, në bllokadë marrin pjesë rreth 100 persona dhe kalojnë vetëm veturat e pasagjerëve dhe autoambulancat.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur incidente dhe se protesta është duke vazhduar në mënyrë krejtësisht paqësore, me prani të policisë, e cila rregullon qarkullimin.

Siç ka thënë ka për “Radion Evropa e Lirë”, një shofer i kamionit nga Novi Pazari, i cili ka dashur të mbetej anonim, ai dhe dy kolegë të tjerë nga e njëjta kompani i janë bashkuar protestës me qëllim që, siç theksuar ai, të ndikojnë tek autoritetet në Prishtinë për të hapur kufirin në Jarinje.

Ai ka thënë se bllokada po ecën pa probleme dhe se nuk lejohen të kalojnë vetëm kamionët që vijnë nga Kosova, ndërsa veturat dhe autobusët kalojnë pa pengesa.

Bllokadat në kufi janë shkaktuar për shkak të protestave që janë mbajtur në territorin serb. Në zonat kufitare, në pjesën e Serbisë, kanë mbetur të bllokuar edhe kamionë që po transportonin mallra për në Kosovë.
Institucionet serbe deri më tani nuk kanë komentuar për këto bllokada në territorin e Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë më 14 qershor, duke mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

Ndryshe, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar në pikëkalimet e tjera kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Mutivodë, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë – pritjet për të hyrë në Kosovë janë 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk ka fare pritje për të dalë nga territori i Kosovës.

Bllokimi i qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet kanë nisur më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kanë kulmuar më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre policë të Policisë së Kosovës që u rrëmbyen brenda…