Tri poezi nga Ramë Bashota

06 janar 2022 | 13:40

KUR ISHIM STUDENTË

 

E dija yt shoq ti cilin e kishe

Sot nuk dija se ti do të dilje vetë

U njohëm studentë ti kur ishe

Ajo kohë iku shpejt dhe u tret

 

Të qëndrova afër dhe besnik

E njëjta ishe me trup dhe bel

Të pyeta për fëmijë sikur mik

Thashë kurorën mos e shkel

 

Kërshëri kisha që të shihja ty

Të di jeta a të solli ndonjë hall

S’dija fëmijët të ngjanin në sy

U pamë sikur mali me një mal

 

19.11.2020

 

ARRATISJE ËSHTË KJO?!

 

Arratisje tani edhe kjo i bie

Shtëpisë sime s’i marr leje

Pa rreze drite dhe pa hije

Plas sherri brenda meje

 

Përballë rri porta e madhe

Dritaret heshtin e s’flasin

A do të flasin kësaj radhe

Nga larg sikur më thërrasin

 

Gjerë në ag unë gjej vesën

Bie shi dhe frynë era e veriu

Sikur unë po e shkel besën

Lotoj unë, çatinë e lagë shiu

 

14.10 2020

 

NËSE DO

 

Ne dy a do të rrimë ndaras

Nëse do edhe ndaras rrimë

Të bëmat a ndahen baras

Jo më shumë, jo një grimë

 

Syri yt, syri im a dhemb në asht

Kohën në dysh ne a e ndamë

Veç dhimbja nëse na rri bashkë

Dije çfarë hoqëm e çfarë pamë

 

24.08.2020

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aleancë ushtarake e drejtuar nga Rusia do të nisë…