Tri propozimet e Thaçit për Qeverinë për këtë dhjetëvjetor të pavarësisë

05 shkurt 2018 | 12:10

Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar për nder të 10-vjetorit të pavarësisë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shpalosur tri propozime të tij.

I pari i vendit ka thënë se Kosova ka nevojë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial, ndërtimin e një muzeut të pavarësisë dhe ndërtimin e një obelisku të lirisë, raporton “Epoka e re”.

“Së pari shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore të Kosovës si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimin real të zhvillimit të Kosovës. Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne, por kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike patjetër i duhet një objekt muze, të cilin propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, në të cilin do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi. Së treti, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një obelisku të lirisë si monument i kujtimit dhe i ndërtimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për liri dhe pavarësinë e Kosovës, para secilit do të nderonim qytetarët e Kosovës dhe gjithë miqtë tanë nga bota”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shprehur besimin e tij se qeveria do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë reale këto projekte, që sipas tij, do të bëhen pjesë e trashëgimisë historike të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar se në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë do t’i adresojë këto propozime.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se…