TRIDHJETË VJET NGA MARTIRIZIMI I ALI TAFËS

05 shkurt 2020 | 17:38

Shkruan: Lulzim Sahiti

TRIDHJETË VJET NGA MARTIRIZIMI I ALI TAFËS (1955-1990)

Në vitet e 90-ta në Kosovë zhvilloheshin protesta të ashpra për të kundërshtuar suprimimin e Kushtetutës së vitit 1974 dhe shtypjen e regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit.

Shfuqizimi i autonomisë më 23 mars të vitit 1989 nën kërcënimin e armëve, largimi i shqiptarëve nga të gjitha strukturat institucionale dhe politikat segregacioniste që i trajtonin shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë e bënë të domosdoshme shprehjen e revoltës, organizimin dhe demonstrimin në mbrojtje të të drejtave të mbetura pas suprimimit të autonomisë. Kështu që më 30 janar të vitit 1990 banorët e Carralevës dhe shumë protestues të ardhur nga Drenica, barrikaduan rrugën magjistrale Shtime – Prizren tek Gryka e Carralevës. Për tri ditë me radhë Carraleva ishte e pa kalueshme për forcat serbe. Ajo po përballej me forcat armike të armatosura me tërë arsenalin luftarak. Më 1 shkurt të vitit 1990 policia serbe kishte ndërhyrë për të shpërndarë turmën e demonstruesve. Pas përleshjes me policinë, turma ishte shpërndarë në drejtim të kodrës së quajtur “Rudina”. Me këtë rast, nga autoblinda e armiqëve që ishte afër “Urës së Sahitit”, në ora 16:20 qëllohet në gjoks Ali Jetullah Tafa (35), i cili merrë plagë të rënda.

Të plagosurin menjëherë e dërgojnë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtime, ku merrë ndihmën e parë. Mirëpo meqë plaga ishte e rëndë, udhëzohet të dërgohet me automjetin zyrtar “Niva” në Spitalin e Prishtinës. Atomjetin e drejtonte pa kurrfarë përgjegjësie Toma i Millanit. Edhe pse rruga ishte e hapur për qarkullim, automjeti i ambolancës shpejtësinë nuk e arrinte as 40 kilometra në orë. Gjatë rrugëtimit familjarët e Aliut ia tërheqin vërejtjen disa herë Tomës mirëpo ai përkundrazi e ngadalsonte shpejtësinë. Në dalje të Shtimes, tek vendi i quajtur “Hani i Mlladenit” në rrugë kanë qëlluar dy-tre gurë të vegjël. Vozitësi në fjalë shkon qëllimisht në drejtim të tyre duke goditur gurët dhe lëshon rrugën drejt hendekut. Për një çast, e ndal automjetin dhe zbret. E shiqon atë dhe thotë: “Më tutje nuk mund të udhëtojmë ngase automjeti u prish!” Me këtë arsyetim shovenist dhe pa kurrfarë ndjenje njerëzore e humane, bashkëfamiljarët e Aliut detyrohen të zbresin të plagosurin në tokë për të bartur tutje me veturën private të Nazmi Tafës. Vonesa e madhe dhe plaga e tij e rëndë e bënë të veten.

Pas qëndrimit prej tri ditësh në Spitalin e Prishtinës, më 5 shkurt, rreth orës pesë të mëngjesit, Aliu ndërroi jetë. Gjatë kësaj dite, është organizuar varrimi i Ali Tafës, në Carralevë. Atë ditë, masa e njerëzve është mbledhur në oborrin e shkollës fillore “Abdullah Shabani”, ku një fjalë rasti e mbajti mësuesi Hilmi Qerkini. Mandej nga ky vend është nisur kortezhi i madh i njerëzve drejt varrezave të Lagjes Balaj. Hapjen e cereminisë së varrimit e bëri mësimdhënësi Hajriz Hajrizi, ndërkaq në emër të fshatit Carralevë, foli veprimtari Musa Nebih Emini. Mirëpo edhe pse ceremonia e varrimit zhvillohej nën kërcënimin e tytave të policisë dhe aeroplanëve të armatës jugosllave, varrimi ishte madhështor ku marrnin pjesë rreth 100 mijë qytetarë liridashës të kësaj ane dhe nga mbarë trevat shqiptare të ish-Jugosllavisë.

Martirizimi i Ali Tafës në këtë demonstratë, e cila ishte ndër më të fuqishmet e kohës dhe gurthemel për demonstratat tjera, luftën e lavdishme të UÇK-së dhe çlirimin e përgjithshëm të Kosovës. Pra, me qindra qytetarë morën pjesë për të kundërshtuar suprimimin e autonomisë së Kosovës, për të mbështetur kërkesat e grevës së minatorëve të Trepçës dhe për të kundërshtuar pushtetin represiv dhe hegjemonist serb. Gjatë luftës së vitit 1998/1999 nga barbarët serbë është goditur me plumba edhe për së vdekuri varri i dëshmorit Ali Tafa. Kjo dëshmon urrejtjen patalogjike të forcave kriminale serbe ndaj familjes Tafa të Carralevës.


Përndryshe, familja e Ali Tafës njihet për atdhetarizëm ngase edhe në dimrin e madh të vitit 1955/1956, në aksionin famëkeq të UDB-së për mbledhjen e armëve nga popullsia shqiptare e Kosovës, me pretekst se shqiptarët ishin të armatosur dhe nuk po i dorëzonin armët, babai i tij, Jetullah (Tafë) Tafa ishte persekutuar mizorisht, të cilit ia kishin thyer tri brinjë që më vonë vdiq (1980). Ndërsa, më 11 prill 1999 në betejën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Koshare (në kufirin administrativ me Shqipëri), ka rënë dëshomor vëllau i Aliut, Rrahman Tafa.
Në qershor të vitit 2002, në oborrin e ish-shkollës së vjetër është ngritur një monument përkujtimor, ku në mermer janë skalitur fotografitë e dëshmorëve të Carralevës të rënë gjatë luftës së UÇK-së, ku në mesin e tyre bënë pjesë edhe dëshmori i lirisë Ali Jetullah Tafa. Në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën heroike të Ali Tafës, këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Shtimes, më 5 prill të vitit 2013 kanë pagëzuar rrugën magjistrale Carralevë – Komoran me emrin e këtij dëshmori të rënë për lirinë e Kosovës.

P.S. (Fotografitë janë siguruar nga Afrim Ali Tafa)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për çështje emergjente i Federatës së Futbollit të Kosovës…