Trumpi: Deri në 70 mijë amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi

28 prill 2020 | 12:55

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se koronavirusi në ShBA mund të vrasë deri në 70 mijë njerëz, por ka theksuar se parashikimet fillestare ishin shumë më të larta.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka thënë se fillimisht është parashikuar se 2.2 milionë amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi dhe se tani, kjo shifër ka rënë në 60 ose 70 mijë.

“Edhe kjo është shumë, edhe një person është shumë, por mendoj se kemi marrë shumë vendime të mira”, ka thënë Trumpi.

“Vendim i madh ka qenë mbyllja e kufirit me Kinën”, ka thënë ai.

Shumica e shteteve amerikane kanë lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi, si masë për frenimin e koronavirusit.

ShBA-ja ka aktualisht numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 988 mijë, përkatësisht mbi 56 mijë.

Trumpi është pyetur nga gazetarët nëse një president amerikan e meriton të rizgjidhet, kur më shumë amerikanë kanë humbur jetën në gjashtë javë, sesa në Luftën e Vietnamit.

Përafërsisht, 58 000 ushtarë amerikanë janë vrarë në Vietnam.

Trumpi është përgjigjur, duke thënë se edhe vdekja e një personi “është shumë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një javë pasi Gjermania ka hequr disa masa kundër koronavirusit,…