Turqia, ky spital i shqiptarëve

14 nëntor 12:50

Shkruan: Anisa Bahiti – 

Përtej çdo propagande duket qartë, se sistemi shëndetësor shqiptar është në kolaps. Jo vetëm shifrat që shkojnë përtej atyre që publikohen çdo ditë, por dhe faktet tregojnë që gjendja është katastrofale.

Numri i të vdekurve, sidomos në grupmoshat më të reja, është rritur ndjeshëm dhe kjo është kthyer në një këmbanë alarmi.

Mesa duket, strategjia për t’i përqendruar të gjithë të sëmurët në 2-3 spitale Covid, ishte e gabuar. Ajo strategji u bë shkaktare e kolapsit të spitaleve dhe përkeqësoi të sëmurët, të cilët përveç sëmundjes rëndohen më shumë psikologjikisht kur shohin që shpëtimin për jeten e tyre nuk mund ta gjejnë këtu, në Shqipëri.

Spitalet private, shumë pak prej tyre, në numër të kufizuar, e ofrojnë këtë shërbim në Tiranë. Spitalet rajonale nuk e ofrojnë shërbimin anti Covid dhe nuk ka gjasë ta bëjnë këtë shërbim në javët dhe muajt në vijim.

Në këto kushte, shqiptaret kanë zgjedhur t’i drejtohen Turqisë, kryesisht Stambollit. Disa prej tyre jane të famshëm, politikanë dhe biznesmenë. Disa janë hallexhinj, të cilët marrin hua tek të njohurit dhe familjarët per t’u kuruar. Disa e kanë edhe më të pamundur, por të gjithë përpiqen. Disa nuk ia kanë arritur të kthehen gjallë por disa të tjerë, pavarësisht kushteve të rënduara, siç ishte rasti i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gëzojnë shëndet të plotë.

Për fat te keq po zbehet çdo ditë besimi tek shëndetësia shqiptare, sot në kohën që flasim dhe në kushtet ku jemi, qytetarët po shkojnë dhe gjejnë shërimin në Turqi. Nuk ka më kohë për projekte spitalesh 3 D, as për show me ata që luftojnë me jetën, dhe as me bluzat e bardha, të cilët janë në frontin e parë të rrezikut për t’i dhënë me aq sa munden ndihmën qytetarëve.

Koha nuk premton më që shqiptarët të çojnë qeset me ushqime dhe ilaçe për të afërmit e tyre të infektuar. Ata , mes vështirësive dhe luftës për jetën, po kthejnë sytë për shërim në spitalet e Turqisë. Fakt është : “Sot, Turqia është kthyer në një spital të madh shprese e shpëtimi të shqiptarëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i dytë me radhë në hierarkinë e Al-Kaidës, i…