‘Twitter’-i ua pezullon llogaritë 12 anëtarëve të partisë së Vuçiqit

19 gusht 2022 | 11:10

Kompania “Twitter” ka pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, dhe të një zyrtari qeveritar.

Në mesin e personave që u është pezulluar llogaria në rrjetin social “Twitter” është edhe Arno Gujon, drejtor i Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, i cili është emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë, raporton “REL”.

“‘Twitter’-i sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34 000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, ka thënë Gujon përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe pse Gujon është i njohur për publikun në Serbi si një humanist që ndihmon serbët në Kosovë, aktiviteti i tij politik është i lidhur me lëvizjen identitare të ekstremit të djathtë.

“Twitter”-i pezulloi llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandër Vuçiq.

Në mesin e llogarive të pezulluara është edhe llogaria e organizatës joqeveritare CRTA që monitoron punën e Kuvendit. Në mesin e personave që u janë pezulluar llogaritë në “Twitter” janë: Nevena Gjuriq, Sandra Bozhiq, Milica Nikoliq, Jelena Obradoviq, Aleksandar Markoviq, Kërsta Janjusheviq, Dushan Radojeviq, Jelena Zhariq-Kovaçeviq, Aleksandra Tomiq, Stasha Stojanoviq, Zoran Tomiq dhe Andrijana Vasiq.

Kompania “Twitter” po ashtu ka pezulluar llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të qytetit të Beogradit, Miroslav Çuçkoviq, si dhe Slavisha Miçanoviqit, që sipas mediave udhëheq ekipin për media të SNS-së.

Kompania “Twitter” nuk ka komentuar menjëherë lidhur me pezullimin e llogarive të zyrtarëve serbë.

Siç është thënë në faqen zyrtare, “Twitter” ka të drejtë të pezullojë llogari nëse këto llogari shkelin rregullat e kompanisë.

“Shumica e llogarive që ne pezullojmë, pezullohen sepse ato janë të rreme ose paraqesin rreziqe të sigurisë për ‘Twitter’-in apo për këdo që përdor ‘Twitter’-in”, është thënë në faqen e kësaj kompanie.

Në ueb-faqen e “Twitter”-it po ashtu është thënë se llogaritë mund të pezullohen nëse të njëjtat dyshohet se janë hakuar. Pezullimi në raste të tilla zgjat derisa llogaria t’i kthehet pronarit. Kompania po ashtu mund të pezullojë llogari nëse janë në kundërshtim me politikat e kompanisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Borussia Dortmund nuk është e interesuar për transferimin e Cristiano…