“Raiffeisen Bank” në telashe! Banka rrezikon të mbyllet nga sistemi financiar i SHBA-së

18 mars 2024 | 21:00

Uashingtoni ka ushtruar presion ndaj një prej bankave më të mëdha të Austrisë, Raiffeisen Bank International, për t’u tërhequr nga Rusia. Uashingtoni ka paralajmëruar se në rast të mostërheqjes, banka rrezikon të mbyllet nga sistemi financiar i SHBA-së

Pavarësisht se disa marka ndërkombëtare njoftuan tërheqjen e tyre nga Rusia që në nisje të konfliktit në Ukrainë, shumica e vijojnë aktivitetin e tyre në të dyja vendet.

Në mënyrë të veçantë në Rusi, e cila u dënua nga Perëndimi për ndërhyrjen në Ukrainë, 95% e kompanive që operonin para luftës vijojnë të mbeten aty.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, tha në një konferencë shtypi me sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, se Austria është investitori i gjashtë më i madh në ekonominë e Ukrainës.

“Kompanitë austriake ishin të pranishme në Rusi dhe pjesërisht janë ende të pranishme, si rreth 95% e të gjitha kompanive perëndimore”, tha ai.

Schallenberg fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për përdorimin e gazit dhe grurit si “levë” në përplasjen me Perëndimin.

“Austria do të vazhdojë të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi i furnizuar nga Rusia, me synimin për t’u bërë “100% e pavarur” deri në vitin 2027”, tha ai.

Javën e kaluar, Politico raportoi se Uashingtoni ka ushtruar presion ndaj një prej bankave më të mëdha të Austrisë, Raiffeisen Bank International, për t’u tërhequr nga Rusia.

Sipas gazetës, Uashingtoni ka paralajmëruar se në rast të mostërheqjes, banka rrezikon të mbyllet nga sistemi financiar i SHBA-së.

Apple, IKEA, Microsoft, IBM, Shell, McDonald’s, Volkswagen, Porsche, Toyota dhe H&M ishin ndër të parat kompani që u larguan nga Rusia pas shpërthimit të luftimeve midis Moskës dhe Kievit në 2022, por shumë biznese të huaja zgjodhën të qëndrojnë, disa prej të cilave kaluan në pronësi ruse ose ndryshuan emrin.

Në shkurt, zëvendëskryeministri rus Denis Manturov tha se rreth 20% e kompanive të mëdha evropiane dhe amerikane janë larguar nga tregu rus, por pjesa tjetër i kanë mbajtur bizneset e tyre në Rusi dhe disa prej tyre po i shtojnë investimet./Vownews.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur…