U lansua shërbimi për pagesa elektronike për qytetarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë marrë pjesë në lansimin e pagesave elektronike, përmes të cilit synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare pa prani fizike.
“Digjitalizimi, si objektiv kyç i programit qeverisës, parashihet të jetë pjesë e të gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillim”, ka thënë kryeministri Kurti dhe ka shtuar se, përmes transformimit digjital, synohet përmirësimi i avancuar i administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.
“Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, është shprehur Kurti gjatë fjalës së tij.



