U martirizuan duke ndërtuar përjetësinë për veten dhe për shtetin

14 prill 2021 | 23:58

Shkruan: Lulzim Sahiti

Njëzet e dy vjet më parë, kur filloi të ndihej kudo jehona e lirisë në Kosovë, regjimi gjenocidal i Serbisë, në Bashkësinë e Tretë të Shtimes kishte ekzekutuar plakun Avdyl Ademaj (69-vjeçar) nga Shtimja dhe Halit Shaqirin (59-vjeçar) nga Reçaku.

Duke kujtuar këtë ditë, ne sot e kuptojmë peshën dhe çmimin që paguan shumë qytetarë të pafajshëm për lirinë e vendit tonë. Me një fjalë, ata u martirizuan duke ndërtuar përjetësinë për veten dhe për shtetin tonë!

Në orët e pasdites, më 14. 4. 1999 forcat serbe në shenjë hakmarrje shkojnë për të minuar shtëpinë e Muharrem Emrush Ademajt, ku më parë kishin qenë të vendosur pjesëtarët e Misionit Verifikues të OSBE-së. Fatbardhësisht familjarët e saj kishin braktisur më herët këtë shtëpi. Mirëpo 7-8 pjesëtarë me uniformë ushtarake me maska në kokë, takojnë vëllaun e tij, Avdyl Emrush Ademaj (1930), i cili ishte në shtëpinë e vet së bashku me gruan e tij, Shyhreten.

Me këtë rast, ata hyjnë në shtëpi për të plaçkitur, ku marrin me dhunë nga Avdyli zinxhirë të mëdhenj nga ari, pastaj disa dukatë ari dhe mandej atë e nxjerrin përjashta duke kërkuar nga ai çelsat e veturës “Nissan”, e cila ishte pronë e Ukë Muharrem Ademajt. Meqë Avdyli nuk posedonte çelsat, ata i vënë flakën veturës në fjalë, kurse atë e ekzekutojnë në oborrin e shtëpisë së tij duke shkrepur një plumb nga automatiku. Zhurma e armës nuk ishte dëgjuar sepse kishin pasur armë me zhurmëmbytës.

Brutaliteti i forcave serbe nuk kishte të ndalur, në shenjë hakmarrje pas plaçkitjes është minuar shtëpia e Muharremit dhe nga shpërthimi i fuqishëm ajo ishte rrënuar tërësisht. Për një çast u shkatërrua gjithçka e krijuar me vite nga dora e njeriut. Në të njëjtën kohë, në oborrin e Ibush Hysen Ajetit (ashkali) në Shtime është pushkatuar edhe nipi i Avdylit, Halit Shaban Shaqiri (1940) nga Reçaku.

Atë ditë këto dy viktima civile janë varrosur nga pjesëtarë të komunitetit ashkali, në varrezat e qytetit. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta!

P.S. Në këtë fotografi shihet shtëpia trikatëshe e Muharrem Ademajt pas hedhjes në erë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervistoi: Linda Karadaku Presidentja e dhomave të specializuara, (gjykata speciale),…