U PROMOVUA LIBRI “SY MË SY ME VEPRËN, VËSHTRIME MBI VEPRËN E MEHMET KAJTAZIT”

03 tetor 2018 | 08:50

Arbesë Hoxha

Më 25 shtator 2018, në Fakultetin e Edukimit në praninë e mbi 300 personaliteteve nga jeta publike dhe letrare, u promovua libri “Sy më sy me veprën, vështrime mbi veprën e Mehmet Kajtazit”.

Botimi i këtij libri por edhe ky manifestim që la mbresa të thella tek të pranishmit u bë falë Prof. Dr. Begzad Baliut që edhe para 5 vitesh ishte poashtu bartës i botimit të librit “Sy më sy me jetën, biografi e Mehmet Kajtazit”.

Prof. Dr. Begzad Baliu në kumtesën e tij bëri një pasqyrim shkencor dhe letrar të veprës së Mehmet Kajtazit. Prof Baliu theksoi, në mes tjerash, se “kjo përmbledhje është vetëm një homazh i radhës për përvjetorin e ndërrimit të jetës së tij, i cili do të vijojë sigurisht edhe me vëllimet e tjera, në përvjetorët  e rëndësishëm të lindjes, më parë sesa ata të vdekjes së tij”.

Në manifestim bëri një paraqitje të shkëlqyer Selman Lokaj me një fragment nga pjesa teatrore “Nata e fundit në Goli-Otok” të Mehmet Kajtazit. Ky libër i Mehmet Kajtazit ka thyer të gjitha rekordet me 561 repriza duke qëndruar që 26 vite në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Selman Lokaj me paraqitjen e tij bëri që publiku të ndalë frymimin për një qast për tu shkëputur nga salla dhe të përjetojë rrugëtimin e  personazhit të luajtur me një talent të pashoq nga Selman Lokaj.

Një paraqitje sa simbolike aq edhe e thellë ishte kur manifestimin e hapi Marena Kajtazi mbesa e Mehmet Kajtazit që lexoi poezinë “Gjyshi im Meti” nga libri i saj “Një planet me poezi”. Marena, 11 vjeqare, befasoi të gjithë publikun me paraqitjen e saj që sikur kristalizonte trashëgiminë letrare të Mehmet Kajtazit.

Dr Lindita Kajtazi, vajza e Mehmet Kajtazit, falënderoi pjesëmarrësit në emër të familjes. Dr Lindita Kajtazi falënderoi veçanërisht Profesor Begzad Baliun, për përkushtim të jashtëzakonshëm shkencor e letrar ndaj veprës së Mehmet Kajtazit.

Një falënderim të veçantë Lindita Kajtazi bëri në radhë të parë për punën e jashtëzakonshme të bërë nga Arbesë Hoxha me kërkimet dhe përshkrimet e këtij libri.

Sulejman Dërmakun e falënderoi për redaktimin gjuhësor jo vetëm të këtij libri por edhe shumë librave të tjerë të Mehmet Kajtazit.

Labinot Hasanin e falënderoi për këtë libër por edhe për numerizimin e 17 romaneve të Mehmet Kajtazit. Labinot Hasani ka bërë gati në një DVD me mbi 4200 faqe të 17 librave të Mehmet Kajtazit.

Lindita Kajtazi falënderoi 32 autorët e vështrimeve në këtë libër si edhe personat që kanë ardhur enkas nga Zvicra për këtë manifestim në mesin e tyre Dr Gëzim Dushin, Z. Arsim Ferizin dhe Z. Besim Rexhaj.

Ky libër përfshin Recensione, Vështrime, Intervista, Vështrime për dramat e skenuara sipas veprave të Mehmet Kajtazit si dhe Tregime dhe Poezi për Mehmet Kajtazin nga 32 letrarë e gazetarë të spikatur si: Adem NIMANI, Ahmet QERIQI, Ahmet SELMANI, Arsim FERIZI, Astrit M. DERVISHAJ, Bedri HYSA, Bedri TAHIRI, Daut DEMAKU, Fazli HAJRIZI, Halit GASHI, Haqif MULLIQI, Shpend HALILI, Idriz BERISHA, Iljaz PROKSHI, Jakup CERAJA, Kadrush RADOGOSHI, Mehmet HAZIRI, Nazmi RRAHMANI, Prend BUZHALA, Ramë BUJA, Remzi LIMANI, Rexhep RIFATI, Riza GREIÇEVCI, Rushit RAMABAJA, Selim KRASNIQI, Shemsi MAKOLLI, Shyqri GALICA, Tafil DURAKU, Vangjush SARO, Vezir UKAJ, XHEVDET FETAHU dhe Zeqir GËRVALLA.

Manifestimi u përmbyll me një melodi të këngës “Kur ta ktheva Kosovë shpinën” të kompozuar enkas në piano nga Alban Lishi. Këtë këngë Mehmet Kajtazi, edhe në ditën e fundit para se të ndërronte jetë, e jetësoi me zërin e tij jehonë jete, që ishte sikur vet Mehmet Kajtazi : “I tëri shpirtmadh, vrull, shpresë e veprimit” siq shkruan Prof. Dr. Doris Jakubec.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me fillim nga ora 19:00 në Muzeun e Kosovës do…