Ujësjellësi “Prishtina” siguron shfrytëzuesit për cilësi të ujit të pijshëm

25 korrik 2019 | 12:25

Një vëllim i madh i punës dhe një kontroll ditor bazik dhe periodik, bën që uji i pijshëm nga Ujësjellësi “Prishtina” të jetë i sigurt 100 për qind për konsum njerëzor. Kështu thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Qëllimi kryesor i Departamentit të cilësisë së ujit të pijshëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit  “Prishtina”, sh.a. është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollin e cilësisë së ujit bazuar në standardet cilësore aplikative (U. A. 16 /2012 ) dhe ato evropiane (Udhëzimi – Direktiva 98/83/EC) mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit. “Kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjikë dhe atyre fiziko-kimikë. Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj. Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, puseve dhe lumenjve”, është thënë në njoftimin e Ujësjellësit “Prishtina”.

Sipas këtij njoftimi, laboratorët të cilët janë të akredituar shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE-ja, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC. “Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ‘Prishtina’, sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq (Kanali Ibër-Lepencit), si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi, Graçanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbëdhjetë pikat në rrjetin e qytetit, në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues përcjellim kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi. Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr. 16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

KRU “Prishtina” ka njoftuar se numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në gjashtë muajt e ardhshëm supozohet të jetë afro 6.850 mostra të ujit. “Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do të bëhet mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik, Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan, Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në vitin 2019 planifikohet të jetë afro 13.650 mostra të ujit. Paralelisht me laboratorin e akredituar të KRU ‘Prishtina’, sh.a. analizat bëhen çdoherë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës”, është theksuar në njoftimin e KRU “Prishtina”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…