Ujësjellësi Prishtina: Uji i pijshëm është 100 për qind i sigurt

06 maj 2019 | 14:59

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a ka njoftuar se uji i cili u ofrohet qytetarëve është i 100 për qind i sigurt.

Sipas njoftimi për media të kësaj kompanie, qëllimi kryesor i Departamentit të Cilësisë së Ujit të pijshëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollin e kualitetit të ujit, bazuar në standardet cilësore aplikative dhe ato evropiane mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit.

Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjik dhe atyre fiziko-kimik. “Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj. Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, puseve dhe lumenjve. Laboratorët tanë të cilët janë të akredituar shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE-ja, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC”, është theksuar në njoftimin për media të kësaj kompanie.

Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU “Prishtina” sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq (Kanali Ibër – Lepencit) dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi, Graqanicë dhe Vragoli, si dhe pesëmbëdhjetë pikat në rrjetin e qytetit, në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues përcjellët kualiteti i ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi.

KRU “Prishtina” ka njoftuar se cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr. 16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu. “Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në gjashtë muajt e ardhshëm supozohet të jetë afro 6.850 mostra të ujit. Një vëllim kaq i madh i punës dhe një kontroll ditore bazike dhe periodike, bënë që uji i pijshëm të jetë i sigurt 100 për qind. Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do të bëhet mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik, Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan, Drenas dhe Podujevë, si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në vitin 2019 planifikohet të jetë afro 13.650 mostra të ujit”, është thënë në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Paralelisht me laboratorin e akredituar të KRU “Prishtina” sh.a. analizat bëhen çdoherë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ANNA BAGRIANA ME SYTË E TU Me sytë e tu…