Ukshin Hoti mbetet ndër figurat madhore të kombit

17 qershor 2018 | 17:30

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, në Shtëpinë e Kulturës, është mbajtur të dielën tryeza shkencore “Mendimi politik e shkencor i Ukshin Hotit për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kontekstin evropian”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se të mëdhenjtë, heronjtë dhe martirët, kanë vetëm ditëlindje. Ai ka thënë se vepra e Ukshin Hotit ishte bërë frymëzuese për njerëzit e rezistencës shqiptare kundër shtypjes e represionit serb, të maskuar nën maskën e komunizmit jugosllav në fillim të viteve 1980. “Mënyra e argumentimit të idesë për Republikën e Kosovës, faktet bindëse dhe të mbështetura mbi të dhëna shkencore, e sfiduan sistemin ‘e vlerave’ të Jugosllavisë së asaj kohe. Mirëpo, regjimet shtypëse e totalitare nuk e pranojnë forcën e argumentit, prandaj edhe njerëzit mendjendritur, siç ishte Ukshin Hoti, duheshin hequr nga skena. Qëndrimi i tij stoik e vetëmohues, i bindur në të drejtën e tij dhe të popullit të tij, bënë që figura e tij të imponojë respekt”, ka thënë Latifi në këtë tryezë shkencore, e cila është organizuar nën përkujdesjen e tij.

Latifi ka theksuar se Ukshin Hoti qëndronte shumë më lart në pikëpamje të njohurive politike shkencore sesa klasa politike e asaj kohe. “Idetë e tij kërkonin konsistencë e guxim për t’u zbatuar. Pikërisht këto i sollën gjithë ato krajata e mundime, por nuk e thyen dot. U bë simbol i qëndresës e përkushtimit dhe si i tillë do të mbahet mend gjatë. Kjo qëndresë e bëri të jetë i pavdekshëm, pavarësisht se kur do të vinte vdekja natyrore, ashtu siç do të vijë për secilin njeri të vdekshëm”, është shprehur Latifi, duke shtuar se Ukshin Hoti e dinte mirë ç’do të thotë të krijosh shtet që merr në mbrojtje qytetarët e vet. “Kjo e bën të veçantë profesorin Hoti e aktual edhe në ditët tona. Largpamësia dhe mbështetja në të dhëna shkencore e të dokumentuara janë veti e shkencëtarëve, prandaj themi se profesori ynë ishte shkencëtar i politikës nga i cili mund të mësohet ende”, ka thënë ai.

Kryetari i Rahovecit ka shtuar se trajtimi i pikëpamjeve të Ukshin Hotit, ruajtja e trashëgimisë së tij, ruajtja e relikteve të tij, janë ndër obligimet tona morale e institucionale. “Përfundimi i projektit të shtëpisë muze, mbledhja dhe sistemimi i veprimtarisë së tij, po ashtu janë ndër obligimet që presin të përmbushen. Krejt kjo në kujtim të asaj shëmbëlltyre që duhet ta ketë çdo komb i civilizuar dhe që duhet t’u lihet trashëgim brezave. Pasardhësit duhet ta dinë rrugën nga kanë kaluar heronjtë dhe martirët tanë, sakrificat që kanë bërë dhe vuajtjet që kanë përjetuar, vetëm që të mos i mbeten borxh historisë. Secilit pjesëtar të këtij komuniteti i takon ta vlerësojë, çmojë e ruajë këtë trashëgimi, ngaqë historia mund të përsëritet dhe të jetë më tragjike. Që të mos na ndodhë kjo, duhet të kujdesemi për ato që na lanë paraardhësit tanë, ndërsa Ukshin Hoti mbetet ekzemplar i rrallë dhe ndër figurat madhore të kombit tonë”, ka thënë Latifi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Komunës së Deçanit, tani deputet i Kuvendit të…