Unifikimi i kurrikulave Kosovë-Shqipëri, mundësi e mirë

29 tetor 2018 | 13:45

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vizituar institucionin privat të arsimit fillor “Arsimi i Shqipërisë”, shkollë e cila funksionon me kurrikula dhe tekste shkollore të Shqipërisë.

“Kam qëndruar në disa klasa ku kam bashkëbiseduar me nxënësit dhe i kam porositur të jenë të përkushtuar në mësime dhe të kërkojnë më shumë nga mësimdhënësit. Rinia jonë është pasuria më e madhe që kemi dhe kjo rini po na bën dhe duhet të na bëjë edhe më krenarë si shtet. I përgëzova mësimdhënësit dhe nxënësit për punën dhe të arriturat në këtë shkollë, e po ashtu, edhe për faktin se nxënësit e kësaj shkolle kanë përfaqësuar Kosovën për herë të parë në Modelin e Parlamentit Evropian”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ai ka shtuar se janë të rinjtë ata që po i tregojnë Evropës se nuk dallojnë asgjë nga moshatarët e tyre në shtetet e zhvilluara. “Prandaj institucioneve iu mbetet që të krijojnë kushte të mira për arsimim dhe më shumë mundësi për ta”, është shprehur Bytyqi.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka theksuar se shkolla të tilla të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas, janë një mundësi e mirë për të parë mundësitë e unifikimit të kurrikulave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket e pabesueshme, por Jennifer Lopez është plot 49 vjeçe.…