Lirohet nga burgu serbi Andrija Drashkoviq, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit në Bruksel

26 nëntor 2026 | 13:47

Andrija Drashkoviq (61) është liruar nga akuzat për vrasjen e aktivistit politik dhe veprimtarit për të drejtat e njeriut nga Kosova, Enver Hadri, i cili u vra në Bruksel në vitin 1990.

Lajmi është raportuar nga mediat belge, të cilat kanë bërë të ditur se juria e mori vendimin të mërkurën në mbrëmje, pas më shumë se dhjetë orësh diskutimesh.

Sipas agjencisë belge “Belga”, juria ka vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Drashkoviqit përtej dyshimit të arsyeshëm.

Megjithatë, juria ka konstatuar se vrasja e Hadrit ishte organizuar me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, me ndihmën e një grupi kriminal nga Beogradi. Ajo nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirjen e Drashkoviqit në këtë krim.

Andrija Drashkoviq

Drashkoviqi dyshohej se kishte marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e atentatit, si pjesë e një grupi komando që, sipas aktakuzës, ishte dërguar në Bruksel nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë për ta eliminuar Hadrin.

Kush ishte Enver Hadri?

Enver Hadri ishte aktivist politik shqiptar nga Kosova dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, i cili jetonte në Bruksel që nga viti 1972. Ai ishte angazhuar për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb dhe autoritetet jugosllave.

Hadri u vra më 25 shkurt 1990, në komunën Saint-Gilles të Brukselit, në një atentat që, sipas gjetjeve të gjykatës, ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë.

Në momentin e vrasjes, ai po udhëtonte me dokumentacion për shqiptarët e vrarë gjatë demonstratave paqësore në Kosovë. Sipas raportimeve të mediave kosovare, në mesin e dokumenteve ndodhej edhe një listë me emrat e 32 personave të vrarë nga forcat serbe.

Këtë listë Hadri planifikonte t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Evropian.

Lirimi i Drashkoviqit nga akuzat nuk e ndryshon konstatimin e jurisë se vrasja e aktivistit shqiptar ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, por nënkupton se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ta lidhur atë personalisht me krimin.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se…