Unitedi shpreson në përmbysjen e Barçës

16 prill 2019 | 11:29

Sonte (e martë) zhvillohen ndeshjet kthyese në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në mes të Barcelonës dhe Manchester Unitedit dhe Juventusit e Ajaxit. Një avantazh të lehtë nga ndeshjet e para kanë Barça dhe Juve. 

 

Manchester Unitedi e humbi ndeshjen e parë çerekfinale nga Barcelona në “Old Trafford” me rezultat 0-1, por shpreson ta bëjë përmbysjen ashtu sikurse në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj PSG-së.

Trajneri i skuadrës angleze, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se finalja me përmbysje e vitit 1999 ndaj Bayern Munchenit ka qenë një tjetër ndeshje, kurse tash “Djajtë e kuq” po frymëzohen nga ndeshja ndaj PSG-së.

“Jo, unë nuk bazohem tek ajo përmbysje e madhe historike, sepse ndodhi kundër Bayernit. Asokohe ishte finale, ishte diçka ndryshe. Ne do të frymëzohemi nga ndeshja e kthimit me PSG-në. Kemi mundur disa ekipe të mira larg shtëpisë këtë sezon dhe kemi luajtur kundër disa lojtarëve të mëdhenj”, ka thënë Solskjaer, i cili beson se me lojtarët që ka mund të shënojë pa problem ndaj Barcelonës. “Shikoni cilësinë e këtyre lojtarëve dhe kjo përbën kërcënim për Barcelonën. Ne kemi mundësi për të shënuar gola në ‘Camp Nou’. Sigurisht, ajo që bëmë kundër PSG-së duhet t’u japë të gjithëve besim. Përmbysja në Paris ishte përvoja më e mirë që këta lojtarë kanë pasur për shumë vite. Ata ndoshta po ëndërrojnë për një tjetër natë të paharrueshme në Barcelonë”, ka deklaruar trajneri norvegjez.

Në anën tjetër trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar dhe se Barça nuk mendon për rezultatin e ndeshjes së parë.

“Nuk e di si do të veprojnë ata, por ne kemi të dhëna se në katër ndeshje që kanë luajtur jashtë kanë fituar tre. Duhet të jemi vigjilentë, çdo skuadër mund ta ketë fatin e vet në stilin e vet. Kemi shënuar një gol jashtë fushës por, kjo nuk është përfundimtare. Ne do të përpiqemi të shënojmë. Gjithmonë do të mbetemi në stilin tonë. Nuk do të mendojmë se jemi në avantazh. Do të ishte absurde”, ka thënë Valverde, duke konfirmuar se Leo Messi është gati për këtë ndeshje. “Ai është mirë, në formë perfekte. Është në gjendje të mirë dhe gati për këtë ndeshje ”, ka shtuar ai.

Manchester Unitedi në këtë ndeshje do të jetë pa Luke Shaw, i cili është i suspenduar, derisa pozitën e tij në krahun e majtë do ta marrë Youngu. Ndërsa te skuadra spanjolle lajm i mirë është rikthimi i Ousmane Dembeles, i cili ka luajtur në ndeshjen e fundjavës ndaj Huescas. Krahas ndeshjes Barcelona – Manchester UNited, sonte zhvillohet edhe ndeshja tjetër çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Në Torino, Juventusi e pret skuadrën e Ajaxit me të cilën një javë më parë luajti 1-1 në Holandë. Synim i “Zonjës së Vjetër” është kualifikimi në gjysmëfinale, por holandezët janë gati për befasi.

Të martën takohen:
21:00 Barcelona – Manchester United   (1-0)
21:00 Juventus – Ajax                                (1-1)

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e martë) zhvillohen ndeshjet kthyese në çerekfinale të Ligës…