UP-ja reagon për rastet e ngacmimeve, kërkon të mos bëhet presion

12 prill 2024 | 11:18

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar në lidhje me çështjen e ngacmimeve seksuale të raportuar për të cilën dyshohet profesori i UP-së, Xhevat Krasniqi.

Në reagimin e UP-së është thënë se çështja në fjalë është duke u hetuar.

“Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese”, është thënë në reagim.

Më tutje, UP-ja ka kërkuar që të mos bëhet presion ndaj universitetit.

“Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës” është thënë në reagimin e UP-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport,…