Urtësitë e bukura të Ymret Reshitit

20 tetor 2022 | 11:34

Shkruan: Rexhep Shahu

Në urtësinë e vjetër thuhet e para është fjala, ndërsa shkrimtari gjerman Gëte thoshte e para është vepra.

Ndoshta pa vetëdije ose nga një urdhër i brendshëm për t’u pohuar, shënuar e për të kontribuar intelektua­lisht me vepër, Ymret Reshiti ka vendosur ta lërë të shkruar si dëshmi të vetën përvojën e grumbulluar si nektarin bleta gjatë jetës aktive. Ta lërë të shkruar dijen që ka mbledhur dhe punuar në laboratorin e tij krijues si njeri e qytetar që shqetësohet për veten e fatin e të gjithëve pasi është i bindur se gjithkush mund të bëjë diçka, në mos gjithçka për një fat më të mirë të shoqërisë sonë e të njerëzimit.

Nuk ka shumë njerëz guximtarë si Ymret Reshiti që beson se e para është vepra, siç thoshte Gëtja apo se njeriu është vepra e tij. Dhe nga veprat më jetëgjatë e fisnike është libri që shkruan njeriu, vetja që shkruan njeriu.

Ymret Reshiti si pak njerëz shkruan librin e vet dhe pohon atë që thuhet se gjithkush duhet dhe mund ta shkruajë librin e vet, gjithkush mund ta gdhendë e ta ngrejë në këmbë, ta vërë në një piedestal si e mendon vetë statujën e vet.

Ymret Reshiti me urtësitë që jep, me nektarin që ka mbledhur në jetë dhe ua jep lexuesve, nuk mëton që të konkurrojë me filozofët e botës dhe urtësitë filozofike, por në mënyrën e vet jep mendimet e veta, gjykimet e veta, vlerësimet e përvojën e vet.

Në librin e Ymret Reshitit njeriu ka çfarë lexon, çfarë merr, e gjen veten shpesh në fjalët e thëna, vihesh në mendime, do t’i mësosh ato thënie, t’i përdorësh dhe kjo është vlerë e këtij libri.

Derisa e shfletoni këtë libër të Reshitit do t’ju bëjë për­shtypje serioziteti maksimal i tij, përkushtimi dhe anga­zhimi që të përfshijë sipas rendit alfabetik gjithë fushat e jetës e të mendimit.

Autori ta bën të këndshëm leximin pasi ndërthurja e shprehjeve që sjell, përmbajtja e tyre, larushia e temave, gjendjeve, është si fllad e freski relaksuese.

Ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e vështirë, e mundimshme dhe kurrë e arritshme mbledhja dhe për­cjellja e urtësisë njerëzore.

Tek njeriu, në njeriun, koha, jeta, dita, çasti, shkruhen përditë. Njeriu është si një pergamenë në të cilën shkru­hen jeta, përvoja, dhimbja, malli, dashuria, urrejtja, lindja e vdekja. Është fisnike ta përcjellësh tek të tjerët, ta fusësh në libra ku nuk zhbëhet e nuk fshihet kurrë kujtesa e ur­tësia njerëzore, përvojë njerëzore që vjen tek ju përmes leximeve, dëgjimeve, përvojës personale, meditimeve. Njeriu është si fëmijë dhe vërtet mbetet fëmijë derisa vdes, shënon në veten e tij, shkruan koha në trupin dhe trurin e tij, në lëkurën e tij dhe vjen një moment guximi e kënaqësie nga dikush që përvojat e përthyera si rrezet e diellit në det, vëzhgimet e veta i sjell në libër siç i ka sjellë Ymret Reshiti.

Libra të tillë mirësie janë të dobishëm, nuk janë të dëmshëm siç janë ato libra që falsifikojnë historinë dhe mbeten ashtu ndër breza.

Libri i Ymret Reshitit nuk është libër që shpall luftëtar a hero dikë që nuk ka marrë pjesë në luftë. Nuk është libër që shton tanke e makina lufte kur nuk ka pasur luftë me tanke dhe autoblinda. Nuk është libër që falsi­fikon numrin e dëshmorëve si njëzet e sa mijë dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore që nuk ekzistuan kurrë në Shqipëri. Nuk është libër mashtrimi për gjashtëdhjetë mijë veteranë që nuk kanë ekzistuar as në ëndërr. Kjo shifër është shëmtim i qëndresës së shqiptarëve. Po të ishte një libër i tillë, i dëmshëm dhe falsifikues, nuk do ta shkruaja as një germë për të dhe do të thosha të mos e shohë dritën e botimit.

Pra, ky libër, që sjell urtësi dhe mençuri njerëzore, pas një përvoje, pas një përkushtimi dhe këmbëngulje, pas një lodhjeje të bukur, meriton gjithë përshëndetjet e mundshme.

Nektari mblidhet nga bleta dhe na jep mjaltin. Edhe Ymret Reshiti ka mbledhur urtësinë njerëzore në labo­ratorin e vet dhe na ka sjellë këtë libër me urtësi.

Për këtë vëmendje, për këtë përpjekje për të mbledhur kaq shumë qirinj të ndezur për ne, për dritë për ne, Ymret Reshiti meriton falënderimet tona më të për­zemërta.

Me këtë libër, me këtë kontribut, Ymret Reshiti na mëson se njeriu mund të bëhet i dobishëm, mund të mendojë dhe të veprojë bukur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila,…