USAID-i vazhdon mbështetjen për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

28 korrik 2022 | 15:00

Institucionet qendrore dhe lokale shprehin përkushtimin për të çuar përpara reformat në menaxhim të financave publike dhe prokurim publik

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe USAID-i, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për zbatimin e Projektit “Aktiviteti për integritet të komunave të Kosovës”.

Nënshkrimi i këtij memorandumi pesëvjeçar është bërë në një ceremoni zyrtare nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe zëvendëspresidenti i DAI, LLC Stephen Carpenter, ku të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministra të kabinetit qeveritar, kryetar komunash, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Qëllimi i këtij memorandumi është formalizimi i bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe DAI-t, si kontraktor që zbaton projektin “Aktiviteti për integritet të komunave të Kosovës” i financuara nga USAID-i.

Përmes këtij projekti, DAI do ta mbështesë ZKA-në në zhvillimin dhe forcimin e procesit të auditimit në Kosovë, me fokus të veçantë në: forcimin e operacioneve të Njësisë Kundër Mashtrimit; Forcimin e mekanizmave për llogaridhënie më të madhe për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm; mbështetjen e ZKA-së për punën me Komisionet përkatëse të Kuvendit për mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, etj.

DAI dhe ZKA-ja janë të përkushtuar në zbatimin e këtij Memorandumi sipas parimeve të qeverisjes së mirë si: sundimi i ligjit, transparenca, llogaridhënia, efiçienca, efektshmeria, reagueshmeria, përfshirja dhe pjesëmarrja e qytetarëve.

Memorandume mirëkuptimi për menaxhimin e financave publike dhe prokurimit kanë nënshkruar edhe disa institucione të tjera, ku për pesë vitet e ardhshme SHBA-ja do t’i ndihmojë në zhvillimin dhe avancimin e proceseve në këto fusha.

Përmes këtij projekti USAID-i do të jap përkrahje për institucionet e Kosovës në adresimin e sfidave për luftimin e korrupsionit dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, duke përforcuar mekanizmat e llogaridhënies.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të cilët kanë nënshkruar memorandumet e mirëkuptimit me USAID kanë vlerësuar lartë rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur ratifikim e…