Ushtarakët shqiptarë trajnohen në Turqi për dronët “Bayraktar”

19 janar 2024 | 19:03

Ministri Peleshi ka njoftuar se pas suksesit në fazën e përgatitjes teorike, efektivët shqiptarë kanë filluar trajnimin praktik për dronët luftarakë “Bayraktar”, me të cilët sipas tij Shqipëria do të pajiset shumë shpejt

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në rrjetet sociale ka njoftuar se pas suksesit në fazën e përgatitjes teorike, efektivët shqiptarë kanë filluar trajnimin praktik për dronët luftarakë “Bayraktar”, me të cilët, sipas tij, Shqipëria do të pajiset shumë shpejt.

“Tri ekipe nga Forcat tona të Armatosura aktualisht po ndjekin kurse intensive në Türkiye për specialitetet PilotUAV, ElektronikUAV dhe MekanikUAV, për të bërë të mundur aftësimin profesional për çdo aspekt të operimit të kësaj teknologjie të përparuar”, ka theksuar Peleshi.

“Krenarë për angazhimin e forcave tona dhe mënyrën se si ata po pajisen me kompetencën e nevojshme për të operuar këta dronë të pararojës teknologjike në fushën e mbrojtjes”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2022, në Tiranë u nënshkrua kontrata për blerjen nga Shqipëria të flotës së mjeteve ajrore pa pilot (UAV) “Bayraktar”, sipas autoriteteve shqiptare, produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Turqi dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burim Gjaka Dilema se kush duhet të udhëheq në institucione…