“Ushtari i parë që vdiq në duart e mia” – Rrëfimi i dhimbshëm për dëshmorin 20 vjeçar, Enver Duraku

12 nëntor 2023 | 20:34

Enver Duraku nga Krusha e Madhe ishte vetëm 20 vjeçar kur iu bashkuar luftës për lirinë e vendit. Nëna e tij, Fetije Duraku, për Tëvë1 ka zbuluar fjalët që ia tha të birit kur ky i fundit kapi pushkën. Kurse infermieri i njohur i luftës, Besim Thaçi, ka rrëfyer për momentet e fundit të jetës së dëshmorit të ri.

Uniforma e UÇK-së është gjëja e vetme që e ka kujtim nga i biri.

Por edhe kjo, iu kthye familjes Duraku nga Krusha e Madhe vetëm në vitin 2021.

E pikërisht kjo rrobë ushtarake aso kohe, ishte bërë shkak, që nëna e Enver Durakut, Fetija, ta mësonte se i biri, i është bashkuar luftës për liri.

“Një ditë pa u vesh, e kam pas cikën pa martuar atë të vogël, e pash kanë shkuar nalt në dhomë. Po e dëgjoj makinën e teshave nalt t’u ja ngushtue teshat. Unë po pres, as nuk e kanë fshi shtëpinë as kurrgjë. U ngjita lartë, ju thashë hajde more fshinë shpijen. Ai (Enveri) po ja bën më shenjë çikës, mos i kallëzo nënës, po unë e mora vesh”, trgon nëna e dëshmorit Duraku.

83 vjecarja kujton edhe porosinë që ia dha të birit, kur ky i fundit mori rrugën për t’iu bashkuar UÇK-së.

“Ju thashë po e di çka jeni duke bërë, cika po thotë mos i thuaj kurrgjë Enverit, i thashë jo jo, se ai vet ka pranuar. Veç i thashë këqyre me nënën, pishman mos i bjer se duhet edhe me vdekë aty. Më tha pse a nuk e di unë këtë punë a, aty luftë është”, tregon ajo.

Me 28 mars të vitit 1999, në fshatin Doberdelan të Suharekë, Enver Duraku, u plagos gjatë luftimeve me forcat serbe.

Disa ditë më pas, ai së bashku me 62 të plagosur të tjerë, u sollën për trajtim në spitalin e improvizuar ushtarak, në fshatin Baincë të Drenasit.

Për dy ditë më radhë, për të u kujdes Infermieri i luftës, Besim Thaçi.

“Plagët i ka pasur në pjesën e kraharorit dhe barkut, të shkaktuara me copa të granatës dhe minahedhësit. Është trajtuar në këtë Odën e Kamer Lekut, me mua ka qenë edhe Gazmend Elshani i cili me ka ndihmuar në trajtimin e të plagosurve”, thotë Thaçi

Por, ushtari i ri 20 vjeçar nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda të luftës.

Dy ditë më pas, me 3 prill të vitit 1999, ai ndërroi jetë brenda odes.

E këtë moment, infermieri që u kujdes për të thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

“Ka qenë momenti më i dhimbshëm në jetën time, pasi që (Enveri) është dëshmori i parë që ka ndërruar jetë në duart e mia”, thotë ai.

Pavarësisht se janë bërë 24 vjet që kur Enver Duraku ka rënë për lirinë e vendit, emri i tij, nuk është harruar.

Atë me krenari tani e mbanë nipi i tij, Enveri i vogël.

Madje edhe vjershën e parë që e mësoi në jetë, është për xhaxhanë dëshmorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e inteligjencës e Ukrainës tha të dielën se një…