USHTRIA ÇLIRIMTARE KISHTE STRATEGJI, ÇLIRIMIN E KOSOVËS

07 mars 2019 | 11:28

Nga Jakup Krasniqi

Në luftën e Prekazit u vranë 58 (62) shqiptarë, fëmijë, gra, pleq e të rinj dhe kjo qe një humbje e madhe për tërë kombin, e sidomos për Drenicën e Jasharët. Llogaria qe bëri armiku doli e gabuar, sepse radhët e UÇK-së po shtoheshin në mënyrë marramendëse. Populli, e sidomos rinia, po bindej gjithnjë e më tepër se nderi e dinjiteti i kombit e i Atdheut do të mbrohej vetëm me luftë të armatosur e jo me përulje prej zvarraniku. Lufta veç kishte filluar. Pushka ka qenë ajo që gjithherë kishte mbrojtur nderin dhe dinjitetin e njeriut e të kombit. As në luftën që nisi në Likoshan, Qirez dhe Prekaz s´mund të pritej diçka tjetër. Vrasja e komandantit legjendar, sakrifica kolektive e tre brezave të Jasharëve (Shaban Jashari, Ademi dhe Kushtrimi, ishin: gjyshi, Shabani me të birin, Ademin dhe nipin, Kushtrim Ademin, tre breza njëherit ranë me pushkë në dorë për Kosovë), hapi një epokë të re të lavdisë, të tragjedisë e të madhështisë në historinë tonë më të re.

Lufta për liri hyri në një rrugë të pa kthim dhe do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptaret e fituan jo vetëm lirinë, por në rrugën e shtet-ndërtimit e fituan edhe Botën Demokratike. Bota shpejt u bind për vendosmërinë e shqiptarëve, për pathyeshmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po njihte vetëm ngritje. Adem Jashari u bë legjendë e përjetësisë. Ora e Kosovës kishte ardhur. Frika ishte mundur, vështirësi do të kishte, po fitorja ishte e pashmangshme. Vetëm tradhtarë e frikacakë dhe mohuesit e luftës çlirimtare kishin frikë nga liria. Liria po vinte për të gjithë. Më të guximshmit nuk hezituan ti hapin flatrat si shqiponja për ti dal zot Atdheut në kohë furtunash të rrezikshme. Furtuna e luftës kaloj, por pas furtuna nuk u menaxhua si do të duhej menaxhuar!!!

Duhet të themi se mënyra sesi u organizua sulmi mbi Prekaz dhe fshatrat përreth e sidomos me seriozitetin dhe përmasat e zjarrit që përdori armiku bënë që të gjendej e befasuar dhe e papërgatitur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo jo vetëm që u gjet e befasuar, por edhe nga mënyra sesi u pozicionua armiku e bëri të pamundshme shkuarjen në ndihmë forcave të UÇK-së që ndodheshin të rrethuara në Prekazin e Poshtëm. Zjarri ushtarak që përdori armiku ato ditë ishte i përmasave të mëdha dhe kishte qëllim zhdukjen e themeluesve të UÇK-së dhe të qëndresës shqiptare, që ishin të përqendruar në Prekazin e Poshtëm. Armikut hesapet i dolën të gabuara, themeluesit e ushtrisë çlirimtare gjendeshin kudo ku kishte shqiptar si në Kosovë ashtu dhe në diasporë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte siguruar vazhdimësinë dhe pavdekësinë e saj.

Rënia e tre brezave luftëtarë të Jasharëve çelikosi themelet e UÇK-së dhe të Kosovës. Flijimi biblik i Jasharëve e mobilizoi gjithë kombin shqiptar, kudo ku ai ndodhej. U organizuan demonstrata brenda dhe jashtë atdheut, kudo u brohorit: “Gjithë shqiptarët janë UÇK”! Nëse aty-këtu pati shenja dobësie të UÇK-së për t’i shkuar në ndihmë Komandantit Legjendar, ajo dobësi do të kthehej në guxim e vendosmëri për ta vazhduar veprën jetësore të Adem Jasharit – Çlirimin e Kosovës, krijimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik si dhe hapjen e të gjitha perspektivave për tu bërë pjesë e botës demokratike.

Pas luftimeve në Likoshan e Prekaz, pas masakrave mbi popullsinë duarthatë, SHP i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, detyrohet të analizojë strategjinë e veprimit ushtarak. Lufta Guerile e tipit „sulmo e zhduku“ nga vendi i ngjarjes u tregua e dëmshme, sepse armiku po hakmerrej në mënyrën më kriminale mbi popullsinë civile, mbi gra, pleq e fëmijë. Lufta Guerile padyshim që i konvenonte shumë UÇK-së (ani pse shumë luftëra guerile kanë mbetur brenda ati pragu dhe nuk kanë fituar për faktin se nuk janë shndërruar në ushtri vullnetare me karakter popullor, kujto IRA-në dhe ETA-në etj.). Kalimi i UÇK-së nga Guerilja në Njësite e ushtri vullnetare ishte domosdoshmëri dhe ketë domosdoshmëri e imponuan nga masat barbare që i ndërmerrte regjimit kriminel të Beogradit. Barbaria e armikut u tregua në Likoshan, Qirez, Prekaz të Poshtëm etj.

Mënyra e luftës që u imponua nga Serbia dhe gatishmëria e UÇK-së për tu përballur edhe frontalisht me makinerinë ushtarake serbe e bëri të suksesshme UÇK-në. Nuk ka asnjë dyshim, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri vullnetare e popullit të Kosovës. Ia vlen ta themi se Adem Jashari – Komandanti Legjendar i UÇK-së, nuk ka qenë ithtar i luftës guerile, por vetëm pas Epopesë së UÇK-së të marsit 1998 është përdorur forma e luftës që ka preferuar Adem Jashari. Madje edhe 5, 6 e 7 Marsi nuk e kishte asnjë element të luftës guerile.

Ndërsa, qëllimi i armikut ishte: që UÇK-ja mos të mbështetej nga populli shqiptar, kjo ishte edhe një arsye shtesë pse ushtria e policia serbe hakmerrej mbi popullsinë civile. Por qëllimi i parësor i Serbisë ishte zhdukja e plotë ose e pjesërisht e popullit shqiptar të Kosovës. Situata e krijuar, shkalla e lartë e luftimeve dhe rrezikimet e mëdha për popullsinë civile e shtrojnë domosdoshmërinë para SHP të UÇK-së ngritjen e përgjegjësisë disiplinore dhe organizative. Një nga detyrat më prioritare ishin:
– Zgjerimi i ushtrisë me njerëz të rinj e të guximshëm;
– Sigurimi i armëve sa më të sofistikuara për luftën;
– Zgjerimi i ushtrisë, fillimisht në fshatrat që kishin një mbrojtje strategjike;
– Ngritja e llogoreve të luftës do të thoshte heqje dorë nga lufta guerile,
– Krijimi i sa më shumë territoreve të lira dhe
– Në mesin e vitit 1998 u kalua në Formacione ushtarake deri në Brigada.

Të përfundojmë: Këto ishin fazat e strategjisë ushtarake të SHP të UCK-së, ndonjë strategji a doktrinë tjetër individualiste nuk ka ekzistuar a propozuar, e as që është kundërshtuar deri në përfundim të Luftës Çlirimtare. Pas luftërave çlirimtare, praktika të shumta në Botë kanë treguar e tregojnë, tregon edhe praktika e jonë sesi shtohet numri i luftëtarëve (veteranëve) e pse jo edhe i gjeneralëve e doktrinarëve, mund të shtohen edhe strategji e strategë të ndryshme të ri pse jo. Më e rëndësishmja është se me dobësi e suksese politike e ushtarake, me ngritje e rënie Kosova fillimisht fitoj aleatë të shumtë e padyshim më kryesori ishte Aleanca Veri-atlantike – NATO me të cilën se bashku arritëm ta çlirojmë Kosovën nga pushtuesi më 21/22 qershor 1999 kur e tërë makineria armike u largua nga Kosova dhe pastaj më 17 shkurt 2008 përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës e Shpallën Pavarësinë e Sovranitetin e Republikës së Kosovës. Kështu u realizua strategjia e çlirimit të Kosovës!
Çdo luftë len pas vete edhe të pakënaqurit e hatermbetësitë e saj! Po kjo është çështje tjetër. E pakënaqur është edhe Serbia dhe kjo është mirë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, sonte (e enjte) zhvillohen…