VЁRSHIMET!

29 qershor 2023 | 11:49

Nga Xhavit Aliu

Shqetësimi i qytetarëve ndaj fatkeqësisë natyrore, siç janë vërshimet, viteve të fundit është shtuar. Rasti më i fundit, i cili ndodhi në Pejë, na tronditi të gjithëve, ku u shuan dy jetë njerëzish, nëna me të birin e saj pesëvjeçar dhe u lënduan disa të tjerë.

Familjes Ademaj i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, me rastin e humbjes së jetës së dy familjarëve të saj, për shkak të vërshimeve.

Kjo ngjarje e dhimbshme është alarm i përgjithshëm për të ngritur vigjilencën dhe për t’u marrë seriozisht me këtë çështje. Strukturat institucionale kompetente të nivelit lokal dhe qendror, duhet ta kenë një strategji të qartë për t’u përballur me këtë fatkeqësi natyrore, duke u marrë seriozisht me nivelin e infrastrukturës dhe gjendjen e saj, si dhe rreziqet që mund të vijnë në të ardhmen. Shtabet emergjente duhet të jenë të formuara para se të ndodhin vërshimet e jo pasi të kenë ndodhur ato.

Në strategjinë për përballje me vërshimet, duhet studiuar me kujdes nga profesionistët e fushës përkatëse, se cilat zona janë më të rrezikuara dhe çka duhet ndërmarrë, në mënyrë që të sanohen dëmet me rastin e vërshimeve, të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Rregullimi infrastrukturor i shtretërve të lumenjve, në mënyrë të standardizuar, është më së i domosdoshëm. Të gjithë e dimë që, shpeshherë, këto projekte janë nisur dhe kanë përfunduar shkel e shko, vetëm sa për të thënë se u rregullua kjo çështje.

Krijimi i fondit nga institucionet përkatëse, për t’u përballur me këtë fatkeqësi, është domosdoshmëri. Secila komunë duhet ta ketë një strategji dhe brenda saj të përfshihet gjendja infrastrukturore e objekteve të banimit, duke identifikuar shkallën e rrezikshmërisë së lokacioneve, në rast të vërshimeve dhe përmbytjeve.

Vërshimet që goditën shumë qytete të Kosovës, në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, si në: Skënderaj, Mitrovicë, Drenas, Pejë, Gjakovë, Deçan, Istog, Klinë, Junik, Prizren, Rahovec, Podujevë, Vushtrri etj., tregon më së miri pasqyrën reale se sa e madhe dhe e paparashikueshme është kjo dukuri natyrore. Zhvatja e zhavorrit të lumenjve, shpyllëzimi (shkatërrimi i pyjeve), kanalizimet jofunksionale, ndërtimet në zonat e rrezikuara nga përmbytjet etj., janë disa nga shkaqet e papërballueshme nga kjo dukuri natyrore.

Gjatë viteve të fundit, qytete të tëra në Kosovë, pësuan dëme të mëdha materiale dhe infrastrukturore, duke u rrezikuar seriozisht, ajo që është më e rëndësishmja, pra jeta e njerëzve.

Përderisa në të kaluarën, patriotizmi më i madh ishte çlirimi i vendit nga okupatori serb, ku sakrifikuan jetën e tyre bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi, sot, patriotizmi më i madh është që të punohet sinqerisht për të, pra për këtë vend të stërmunduar.

Ky vend nuk ka nevojë për fjalë boshe e për patriotizëm të shtirur, ky vend ka nevojë për punë konkrete, në infrastrukturë të qëndrueshme, në fshatra e qytete, për të krijuar kushte dhe siguri për një jetë të qetë dhe pa brenga.

Sot, në kohën tonë, po zbrazen fshatra të tërë, po mbyllen shkollat dhe boshatisen shtëpitë. Njerëzit po vendosen në apartamente banimi, të ndërtuara jashtë çdo standardi urbanistik dhe pa një studim paraprak fizibiliteti, lidhur me rrezikun e përmbytjeve apo vërshimeve, apo fatkeqësive natyrore, siç janë tërmetet.

Përditë shohim fillim punimesh të ndërtimit të komplekseve banesore, vend e pa vend, pa infrastrukturë të mirëfilltë ambientale, të ngjitura njëra me tjetrën dhe duke ua zënë frymën qytetarëve. Askush nuk është kundër ndërtimit dhe zhvillimit të vendit, por kjo duhet të bëhet në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me urbanizmin, si dhe me një diskutim të mirëfilltë publik paraprak.

Ne duhet të investojmë në të ardhmen tonë, për ndërtimin e një infrastrukture të sigurt, në çdo qytet dhe fshat të vendit, me qëllimin e vetëm: mbrojtjen dhe mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka miratuar platformën vjetore të Politikës së…