Vakia e “Dajës”

13 shkurt 2020 | 18:51

Berat Armagedoni

Pjesën më të madhe të kohës, prej 13 vjetëve të mia punë në “Epokën e re”, e kam kaluar me Shkëmbim Krasniqin – “Dajën”. “Dajën” dajë nuk e ka pasur dhe as nuk e ka kush në gazetë. Shok, të gjithë. Nja pesë vjet shpeshherë bashkë kemi fjetur në një shtrat. Dhe meqë ishte djalë i mirë dhe i familjes së mirë u bëra mesit dhe të vëllait të tij i nxora për grua çikën e xhaxhit të babait. Meqë “Daja” udhëtonte për çdo ditë me një veturë “Golf 3” (GTI) nga fshati Tërpezë në Prishtinë dhe anasjelltas, doja që ndonjë ditë, kur ishte i dërrmuar fort nga lodhja në punë dhe për gjumë, sepse rrinim bashkë deri në mëngjes duke pritur daljen e gazetës nga shtypi, të flinim në banesën që kisha marrë me qira. Binim herët, kur zgjoheshin të tjerët e zgjoheshim vonë, kur binin të tjerët. Këtë punë të vonë e bënim shkaku i vonesës së punëve të Demirit në redaksi dhe të Mavrajt që s’i bëhej kurrë vonë sepse ishte i bindur, siç është edhe sot, se kurrë, për asnjë gjë, nuk bëhet vonë. As për shtypjen e gazetës.

Me “Dajën”, gjatë pesë vjetëve të para të punës, shkonim në restorantin “Gizi” në Veternik. Rrogën e shpenzonim për qira, për të ngrënë, për të pirë birra dhe “Coca Cola”, për të pirë cigare dhe kafe dhe për të blerë rroba. Edhe pse merrnim shumë para nuk dinim të kursenim aspak. Jeta e natës ishte më e kushtueshme se jeta e ditës. Por, jeta nuk planifikohet. Mund të ndodhë ndonjë e papritur që ta prish krejt planin. Prandaj ne shpenzonim shumë, por nuk shpenzonim para për drogë dhe për kurva. “Daja” as për dashnore, se e kishte gruan e nja dy fëmijë, kurse unë shpenzoja edhe ndonjë para për dashnore, se ende isha “free”.

Pastaj, pasi e bleva veturën e tij të shpejtë “Golf 3”, e zura një vajzë dhe e bëra grua dhe e lashë me barrë. Jeta ime mori kthesë tjetër dhe rrëfim tjetër. Po një prej rrëfimeve të “Dajës” e kam të regjistruar në mendje. Ai shpeshherë e përmend sepse shpeshherë ia kërkoj. Ai tregon se një ditë paratë për shtypjen e gazetës botuesi i kishte shpenzuar. Megjithatë, ai punonte edhe për numrin e nesërm pa e pasur asnjë metelik në xhep. Veresi gazetën s’e shtypte askush. Kursime shefi nuk kishte. Pasuri të patundshme jo. Teshat e trupit veshur, një orë dore, libra dhe fletore e lapsa, me bollëk, të cilat mund t’i kushtonin shumë pak po qe se do t’i nxirrte në ankand.

E kishte edhe veturën “Opel Omega” e cila edhe nuk punonte mirë, edhe shpenzonte shumë. Për ta botuar gazetën në ditën e premte, Mavraj e kishte porositur “Dajën” ta nxirrte veturën në shitje dhe ta shiste sa për t’i botuar pesë-gjashtë numra të gazetës. Të enjten, pasi e kishte dorëzuar gazetën në shtyp dhe kishte pritur, deri në orën 4.30 të mëngjesit, derisa të ngarkoheshin ekzemplarët në kombit e rrjetit shpërndarës të “Rilindjes”, ia kishte mësyrë tregut të madh të Malishevës që hapej të enjten. Kishte mbërritur në treg herët. “I treti, – thotë, – kam hi në parkingun e pazarit”. Pasi e ka lënë veturën aty dhe i ka mbyllur dyert, ia ka krisur një gjumi të rrallë e të gjatë. “Kam hi n’pazar, i kam mshel dyert e kerrit dhe ia kam fut gjumë. M’ka dalë gjumi n’pesë n’mbramje. Kur jam qu, asni njeri n’pazar. Krejt dy-tri kerre e tre-katër njerëz. E kam dhezë kerrin dhe ia kam msy Prishtinës. Halli tash, çka me i tha shefit! Nëse më thotë a veti kush për kerr, çka me i tha? Erdha n’redaksi dhe pas pak kohe erdh shefi. Më veti: ‘Dajë, a e shite kerrin?’ Duke u rrëqeth i thashë: ‘Jo vallai shef, se kërkush s’më ka vet’. Dhe nime s’më ka vet kërkush. Nashta ka ardh najkush te kerri, po njerin e lemë ni s’e kam. Isha kanë ba qull. U nisha keq tash për gazetë. Shefi dojke me e shit edhe kerrin veç për me shtyp gazetën. Po, ma në fund, ai prapë ia nisi me punu për gazetë dhe unë me faqos dhe i bamë paret dhe e çumë gazetën në shtypshkronjë dhe e shtypëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hakim Ziyech pritet të jetë goditja e parë në merkato…