Vaksinohen 82 për qind e stafit akademik

15 shtator 2021 | 13:59

Për të pasur një pasqyrë të qartë për shkallën e vaksinimit kundër Covid-19 të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe për të planifikuar skenarët e mundshëm të organizimit të procesit mësimor dhe shërbimeve administrative me studentë gjatë semestrit vjeshtor të vitit akademik 2021/2022, nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) u dizajnua hulumtimi me titull “Shkalla e vaksinimit kundër Covid-19 e stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Hulumtimi është kryer në periudhën nga 3.9.2021 deri më 10.9.2021.

Pyetësori i dizajnuar për këtë hulumtim është përgatitur në formatin elektronik (doc.google.com/forms), është shpërndarë përmes email adresës, dhe si të plotësuar në mënyrë korrekte janë vlerësuar 541 pyetësorë nga stafi akademik dhe 101 pyetësorë nga stafi administrativ i UP-së.

Ky hulumtim ka gjetur shkallë të lartë vaksinimi të stafit akademik, nga të cilët 82.6 për qind e stafit akademik kanë rezultuar plotësisht të vaksinuar, 12.9 për qind e tyre pjesërisht të vaksinuar por që deri më 1 tetor planifikohet të jenë plotësisht të vaksinuar, ndërsa vetëm 4.4 për qind janë deklaruar si të pa vaksinuar.

Ngjashëm, edhe në mesin e stafit administrativ të anketuar, shumica dërmuese e tyre janë deklaruar si plotësisht të vaksinuar (50.5 për qind) apo pjesërisht të vaksinuar (35.6 për qind), ndërsa të pa vaksinuar janë deklaruar 13.9 për qind nga ta.

“Gjetje tjetër me rëndësi e këtij hulumtimi është dhe gatishmëria e lartë e stafit akademik dhe administrativ për të filluar procesin mësimor dhe shërbimet administrative me prani fizike nga 1 Tetori 2021, nëse shkalla e vaksinimit e këtyre grupeve të përfshirë në anketë dhe e studentëve rezulton e kënaqshme dhe numri i infeksioneve me SARS COV2 (COVID-19) bie ndjeshëm”, ka njoftuar Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përballje interesante në kuadër të Ligës së Kampionëve do të…