Valbona, një mrekulli mes maleve me kreshta të larta

08 maj 2021 | 09:26

Shkruan: Berat Luzha

Fshati Valbonë, lumi Valbonë, lugina e Valbonës, Parku Kombëtar i Valbonës, Ujëvara e  Valbonës, trofta pikaloshe e Valbonës, Qafa e Valbonës, vajzat e gratë me emrin Valbona. Valbona është një emër i popullarizuar më shumë se çdo emër tjetër në trojet shqiptare, si fshat, si lumë, si park, si peshk, si emër njerëzish…

Fshati Valbonë, më parë i quajtur Selimaj, ndodhet në bashkinë e në rrethin e Tropojës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës, 810 metra mbi nivelin e detit. Me rreth 30 familje të përhershme, që jetojnë në fshat, Valbona shtrihet në një grykë – zallishte të krijuar nga lumi, i rrethuar nga majat e thepisura, rreth 25 km larg nga Bajram Curri. Shtëpitë kryesisht janë kulla dy e trekatëshe, me mure të trasha prej guri e me kulme karakteristike me dërrasa. Përmes fshatit kalon lumi Valbona, njëri nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm e më të kthjellët të Alpeve Shqiptare. Thuhet se fshati është themeluar para 400 vjetëve nga të ardhurit nga fshati Vuthaj i krahinës së Plavë – Gucisë, të cilët këtu më parë i kishin stanet verore. Gjithashtu, thuhet se emrin ia ka lënë një vizitor – prift italian, i cili, kur kishte dalë në Qafën e Valbonës, luginën e lumit e kishte quajtur Vale Buona – luginë e bukur.

Nëpër fshatin Valbonë dhe nëpër Luginën e Valbonës gjarpëron lumi i rrëmbyeshëm i Valbonës. Lumi Valbona buron nga Malet e Shalës në Malësinë e Madhe, afër fshatit Rragam dhe pas 50.6 km., derdhet në lumin Drin apo në liqenin e Komanit në fshatin Fierzë. Rreth 24 km të këtij lumi me ujë të kulluar rrjedh nëpër luginën e ngushtë piktoreske të Valbonës. Një vend i bukur, një mrekulli e vërtetë është edhe Ujëvara e Valbonës, që ndodhet ndonjë kilometër sipër Valbonës, afër Rragamit. Sapo lumi buron nga toka, fluturon në ujëvarën 50 metërshe të lartë. Fenomen i rrallë natyror dhe i paparë ndër ne është kur lumi humbet i tëri nën zallishtë dhe rishfaqet përsëri pas pesë kilometrave, poshtë fshatit Valbonë.

Lugina e Valbonës është një kryevepër e natyrës, e mbushur me mrekulli të shumta; rrjedha të ujit, ujëvara spektakulare, pyje të pafund e rrethuar me male të larta alpine që ngritin kokën deri në qiell. Lugina që fillon nga Qafa e Valbonës dhe përfundon në fshatin Fierzë, përshkohet nga lumi i Valbonës, duke krijuar gryka, kanione e ujëvara, burime, liqene e shpella shumë të bukura. Lumi i Valbonës bashkohet me Lumin e Gashit, një pasuri tjetër natyrore e mbrojtur nga UNESCO, bashkë me pyllin e ahut në të dy anët e lumit. Këndej shtrihet zona e Eposit të Kreshnikëve, ku ka mbetur njëri nga shtatë Omerët e Mujit e ku Ajkuna e kërkon vëllain e pagjetur dhe i mallkon bjeshkët që e fshehin varrin e vëllait të saj.

Një ngjarje nga e kaluara e Valbonës: Kur serbët vërshuan në vitin 1912, fshati Selimaj kishte shtatë shtëpi. Forcat serbe kërkuan që secila shtëpi e fshatit të dorëzonte nga një pushkë, shtatë pushkë! Përgjigjja e malësorëve të Selimajt (Valbonës) ishte: – As shtatë gurë lumi nuk i dorëzojmë e jo më shtatë pushkë. Kishte pasuar lufta dhe masakrat ndaj popullsisë, kurse fshati ishte djegur tri herë radhazi.   

Kjo luginë, mrekullia e Alpeve Shqiptare, e ka statusin e Parkut Kombëtar në sipërfaqe prej rreth 8000 hektarësh. Parku është nga vendet më të vizituara malore, veçanërisht vizitohet nga turistët që vijnë nga Republika e Kosovës, kryesisht në formë pikniku njëditor, për shkak të afërsisë që ka me Kosovën.   

Të gjithë ata që kanë udhëtuar në Valbonë kanë parë se ndërtimi i dy hidrocentraleve të vogla në luginë ka paraqitur masakër mjedisore në luginën e Valbonës dhe dëmtim të rëndë të zhvillimit të turizmit në këtë zonë, përkundër faktit se Lugina e Valbonës është Park Kombëtar. Disa projekte për ndërtimin e HEC-eve parashohin ta fusin Valbonën dhe disa përrenj në tuba, duke dëmtuar mjedisin, rrjedhimisht edhe turizmin. Kundër ndërtimit banorët e kësaj zone kanë protestuar në Bajram Curr dhe në Tiranë. Qeveria fillimisht kishte miratuar ndërtimin e 14 HEC-eve përgjatë 20 km të lumit, por në fund ka mbetur të ndërtohen vetëm dy prej tyre, kurse edhe ato janë të tepërta. Pos punishteve për ndërtimin e HEC-eve në luginë mund të shihen edhe punishte për ndërtimin e objekteve hoteliere pa leje e pa plan, si dhe gurore, nga ku gumëzhijnë transportuesit e rëndë, duke shkatërruar shtratin e lumit dhe shpatijet e malit.

Valbona është në fazën e zhvillimit të turizmit, me shumë projekte, që pritet të realizohen së shpejti. Veçanërisht, fshati është pjesë e masterplanit për zhvillimin e Alpeve Shqiptare dhe pjesë e projektit tjetër të turizmit fshatar “100 fshatrat e Shqipërisë”. Numri i vizitorëve dhe i turistëve vendorë dhe të huaj është gjithnjë në rritje. Janë ndërtuar apo përshtatur për turizëm shtëpi e bujtina, hotele e restorante. Fshati turistik i Valbonës është kthyer në një nga destinimet më të parapëlqyera malore në Shqipëri. Se Valbona është një vend i jashtëzakonshëm e tregon edhe Kanali TV National Geographic, që e ka radhitur si njërën nga nëntë destinimet më të mira në botë për aventurë në ajër të pastër.

Valbona dhe Lugina e Valbonës mahnitë vizitorin me natyrën madhështore, me male të larta e hijerënda, me pyje të pasura të ahut, të pishës, të bredhit e të gështenjës, me ujëra të pastra, përrenj e lumenj malorë, ku notojnë troftat e njohura të Valbonës, me livadhe alpine. Natyra e egër dhe e paprekur e Valbonës paraqet një perlë të fshehur të maleve alpine, një destinim të përkryer turistik, ku merr ngjyra piktura dhe fotografia, ku fillojnë sportet dimërore, peshkimi e alpinizmi, ku merr udhë aventura drejt Thethit nën gurgullimin e ujërave, cicërimën e zogjëve e fërshëllimin e drunjve. Në Valbonë mund të peshkohet trofta e Valbonës, një peshk i veçantë autokton, si dhe mund të zhvillohet kanotazhi, si sport i aventurës.

Shëtitjet në këtë zonë me shumë befasi natyrore dhe ecja në ajër të pastër nëpër shtigje në fshat dhe rrethinë është përjetim i këndshëm, që përjetohet e nuk harrohet.

Lugina, ujëvara, burimet, stanet, kullat, mikpritja, ushqimet e pasura natyrore formojnë pasqyrimin për Valbonën, që duhet ta shofim e ta njofim sa më parë. Mikpritja malësore, sipas traditave të vjetra shqiptare, bujtinat dhe gatimet tradicionale të zonës, krijojnë disponim të mirë të vizitorëve, kurse ajri i pastër dhe qetësia absolute krijojnë kushte ideale për pushim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Shefqete Goslaci Qytetarë të dashur të Kryeqytetit, (juve që…