Valon Murati: Kur LV-ja ishte në opozitë i jepte vetës të drejtë t’ia vinte flakën vendit
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati e ka analizuar situatën aktuale politike dhe dështimin për të zgjedhur presidentin e vendit.
Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në këtë proces.
Murati ka thënë se Kurti duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme.
Postimi i plotë:
“O temora, o mores! O kohë, o zakone!, kjo frazë e latinëve që ka ardhë deri në ditët e sotme përmes Ciceronit, i shkon shumë kohës, në të cilën po jetojmë. Pra kur kryeministri Kurti nuk i kishte votat e popullit dhe LV-ja ishte pakicë parlamentare, sidoqoftë duke e konsideruar veten si kategori morale superiore në Kosovë, ndër shqiptarë dhe në botë, i jepte vetes të drejtën t’ia vinte flakën vendit, parlamentit, dhe të bojkotonte e kundërshtonte me forcë çdo proces. Por sidoqoftë nuk e trajtonte veten anti-institucionalist, antishtet e as antikombëtar. Përkundrazi!”.
“E kur sot e ka përkrahjen e votën popullore, por punon pak e aspak për të mirën publike, e mbi të gjitha nuk denjon të vendos ura të sinqerta bashkëpunimi me askënd, sepse kështu duke e mbajtur të përçarë e të çarë shoqërinë llogarit në fitore të vazhdueshme, dhe kur të tjerët si rezultat shfrytëzojnë vetëm institucionin e bojkotit të një procesi politik, ata kryeministri i trajton si anti-institucionalist, antishtet e natyrisht nga fillimi në fund antikombëtar. Kjo nuk flet vetëm për kryeministrin, por edhe për kohën në të cilën po jetojmë, kur memoria për veprimet e tjetrit është shumë e shkurtër dhe kur përmes mediave e rrjeteve sociale ne krijojmë botën tonë, e cila jetohet vetëm sot, harrojmë si ka qenë e djeshmja dhe të nesërmen nuk e mendojmë dhe në të cilën jemi rehat dhe nuk shohim përtej hundës sonë”, ka shkruar Murati në “Facebook”.



