“VATRA” nderon kryepolicin e Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, me “Medaljen e Artë të Lirisë”

19 tetor 2023 | 22:42

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në një ceremoni zyrtare nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha me motivacion: “Për pasionin, kontributin e spikatur, profesionalizimin, lidershipin dhe rezultatet e larta në zhvillimin e strategjisë së zhvillimit të strukturave të forcave policore, për modernizimin e tyre, rritjen e kapaciteteve operacionale, operative dhe komandim-kontrollin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar, grupeve kriminale, sigurinë e rendit publik dhe mbrojtjen me çdo çmim të integritetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës”. Në vizitën zyrtare në Vatër, Kolonel Hoxha u shoqërua nga Kolonel Agron Nezaj, Kapiten Lulzim Krasniqi, toger Ismet Koca, Elton Shametaj – Chairman American Albanian Law Enforcement Association dhe anëtarë të tjerë të kësaj organizate që shërbejnë në New York, New Jersey etj. Delegacioni i Vatrës i përbërë nga kryetari z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Marshalli Paulin Mrnaçaj, Arkëtari Besim Malota, Prof.Lek Përlleshi, Ilir Cubi, Anton Raja dhe Astrit Gjonpalaj shprehën mirënjohje për profesionalizmin e lartë, sakrificën, trimërinë dhe vendosmërinë e policisë së Kosovës në ruajtjen e territorit të Kosovës, rendit e sigurisë së qytetarëve në përballje me krimin serb dhe forcat serbo-ruse që kërkojnë të destabilizojnë Kosovën. Kryetari i Vatrës z.Berisha dënoi sulmin terrorist serb, shprehu ngushëllime familjes Bunjaku e kolegëve të heroit më të ri të Kosovës. Z.Berisha në fjalën e tij falenderoi mbarë policinë e Kosovës, forcat e sigurisë, liderët politikë, drejtuesit e institucioneve, median për punën e bërë në këto kohë të sulmeve e agresionit kriminal serb.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha deklaroi se vlerësimi me Medaljen e Artë të Lirisë është “Nderim e shpërblim mirënjohje për të gjithë Policinë e Kosovës për punën, profesionalizmin dhe sakrificën për sigurinë publike të qytetarëve të Kosovës”. Kolonel Hoxha falenderoi Vatrën për punën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme në këtë situatë, të gjithë shqiptaro-amerikanët dhe kërkoi që të gjithë shqiptarët në Amerikë të jenë bashkë për të lobuar për Kosovën dhe për forcimin e rolit, imazhit, institucioneve dhe pozitës së shtetit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe arenën ndërkombëtare. Në përfundim të takimit vëllazëror kryepolici i Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha i dhuroi Vatrës flamurin e Policisë së Kosovës si shenjë nderimi e respekti për mbështetjen e pakursyer.

Sokol Paja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare luftëtari i betejës…