
Vazhdon aksioni i sekuestrimit të mjeteve me të cilat ilegalisht po nxirrej zhavorr përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar opinionin publik se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura për degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit është duke vazhduar.
Pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, ambienti është duke u degraduar për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.
“Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ nga neni 338 i KPRK-së. Gjithashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një (1) kamioni transportues, tre (3) ekskavatorëve dhe një (1) seperacioni me të gjitha pajisjet përcjellëse të përdorura në kryerjen e veprës penale. Prokuroria njofton se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës. Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.