Vazhdon gjykimi i Pjetër Shalës, deklarohet eksperti mjeko-ligjor

03 korrik 2023 | 12:47

Gjatë dhënies së dëshmisë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, eksperti mjeko-ligjor Marek Gasior ka thënë se koha nga momenti i gjuajtës me armë e deri tek vdekja e personit A ka qenë e shkurtë duke e cilësuar “pak ditë”.

‘‘Unë do thoja se maksimumi ka qenë pak ditë, pak ditë’’, vlerësoi i njëjti gjatë seancës së të hënës.

Sipas tij, këqyrja e kockave të dëmtuara nuk tregoi se kishte pasur shërim apo rikuperim, prandaj koha nga lëndimi që pësoi pacienti e deri në momentin që vdiq ka qenë e shkurtër.

“Koha për shërim varet nga shumë faktor ndër të cilët mosha e pacientit, faktorë personal që luajnë një rol të rëndësishëm, e vetmja gjë që mund të përsëris është se ka qenë kohë e shkurtër”, tha eksperti Gasior.

Paraprakisht ai tha se vetë autopsia e personit A nuk i kujtohet pasi që kanë kaluar 14 vite por që ai mbështetet në procesverbalin në bazë të punës së tij.

Eksperti pohoi se tek personi A në bazë të raportit ishte gjetur një pjesë gipsi të cilën e konfirmoi edhe me shikimin e disa fotografive (jo për publikun).

I pyetur se a ka identifikuar ndonjë pajisje tjetër që tregon se është bërë trajtim, ai u përgjigj se “është mbështjellësja prej gipsi në këmbën e djathë dhe po kështu kishte edhe një kateter së bashku me një qese, sigurisht pajisje e përdorur për nxjerrjen e urinës”.

Po ashtu, këtë e konfirmoi se ky përshkrim përputhet me fotografitë 15 dhe 16 në raport.

Tutje, eksperti Gasior foli sërish për procesin e sapunëzimit ku the se indet e buta të personit A ishin transformuar pas vdekjes, prandaj kishte ndodhur transportimi i dhjamit.

“Pjesërisht kishte mbetur vetëm skeleti dhe pjesërisht indet e buta të individit ishin sapunëzuar”, tha tutje ai.

Më pas, avokati mbrojtës Mohamed Hedi Aouini kërkoi sqarime nga eksperti lidhur me disa përshkrime të një pjese të raportit ku tha se në pikën B është thënë se nuk ka mbetur mish në trup dhe lëkura ishte sapunëzuar dhe në pikën C, se nuk kishte mbetur inde të buta në trup.

“Gjatë këqyrjes, pas vdekjes, pas zhvarrosjes së trupit, indet e buta ishin hequr dhe pjesa e indeve janë vendosur në tryezën e autopsisë në pozicion anatomik dhe bëhet këqyrja për të vërtetuar nëse kishte lëndime në skelet prandaj për të këqyrur skeletin iu hoqën skeletit indet e buta”, u përgjigj Gasior.

Në vazhdim, avokati Aouini kërkonte të dinte nëse ishin bërë matje të vrimave të plagëve me armë zjarri dhe që eksperti tha se në këtë raport janë bërë matje me milimetra.

Ai po ashtu sqaroi se dy plagë kishin hyrë për mes gjurit kurse plaga e tretë kishte qenë sipërfaqësore.

I njëjti tha se dëmtimi i arteries kryesore është vërtetë lëndim që është kërcënim për jetën.

Ndërkaq, tutje, ky dëshmitar u pyet edhe për raportin e përpiluar për personin B, për të cilat pyetje një pjesë ishte me përmbajte të redaktuar një pjesë e shkurtë në sesion privat.

Lidhur me plagën në shpatull të personit B, eksperti mjeko-ligjor tha se mund të thuhet se këto plagë të cilat kanë lënë shenja të dukshme kanë ardhur si rezultat i një traume që ka kaluar pacienti.

Kurse edhe lidhur me plagën në  këmbë të këtij personi, eksperti Gasior tha se “kjo plagë është shëruar dhe ka ardhur si rezultat i një traume të mëparshme”.

I njëjti duke parë edhe fotografitë e shenjës së plagës, vlerësoi se ishte një plagë që ka mbuluar indet e buta.

Seanca do të vazhdojë edhe më tej me kundra-pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin pas pauzës së kafes.

Vazhdon edhe sot marrja në pyetje e ekspertit mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës edhe në seancën e së hënës është duke vazhduar marrja në pyetje e ekspertit mjeko-ligjor Marek Gasior.

Gjatë seancës së sotme ekipi mbrojtës i Shalës do të fillojë me kundra-pyetjet për të njëjtin, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Seanca po vazhdon në sesion publik.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia dha dy urdhra me gojë.

I pari urdhër kishte të bënte me një kërkesë që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka bërë me postë elektronike më 27 qershor 2023 që ka të bëjë me caktimin e numrit për prova materiale.

Ajo tha se sipas ZPS-së ky dokument përbën versionin e saktë të raportit që trupi gjykues e ka pranuar si provë shkresore dhe se raporti fillestar nuk ekziston më dhe se është zëvendësuar me versionin e saktë, kështu që është kërkuar që të caktohet numri për këtë provë materiale.

Andaj, trupi gjykues këtë kërkesë e ka miratuar dhe është udhëzuar zyra administrative që të regjistroj këtë urdhër të dhënë gojarisht.

Kurse, urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e mbrojtjes, po ashtu të 27 qershorit 2023 për të shtuar një material që do përdor për kundra-pyetjet që do i bëjë dëshmitarit gjatë seancës së sotme.

Gjykatësja Veldt-Foglia tha se ky material është nxjerrë nga ZPS-ja më 26 qershor me një paket shkresore dhe duke qenë se nuk ka pasur kundërshtime, trupi gjykues e ka autorizuar mbrojtjen që të shtojë këtë material në listën e materiale që do përdor gjatë kundra-pyetjeve për këtë dëshmitar.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Al-Hilal mirëpret rikthimin e trajnerit Jorge Jesus. Pas një sezon…