Vazhdon mbështetja e komunitetit shqiptar në Australi për ambasadorin Hajdin Abazi

20 qershor 2021 | 11:49

Biznesmenë, sportistë, njerëz të artit e të kulturës, punëtor që jetojnë e veprojnë në Australinë e largët, vazhdojnë t’i shkruajnë letra presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvallës, që të pezullojnë vendimin e tyre për shkarkimin e ambasadorëve nëpër shtete të ndryshme e në veçanti të ambasadorit Hajdin Abazi.

Ata përmes këtyre kërkesave ia bëjmë me dije institucioneve të Kosovës, punën dhe angazhimin e ambasadorit Abazi në Australi. Në redaksinë e gazetës “Epoka e re” ka arritur një letër nga Komuniteti Shqiptar në Dandenong, i nënshkruar nga kryetari i saj Riza Jaupi ku kërkohet nga këto tri institucione të pezullohet vendimi për ndërprerjen në gjysmë të mandatit të Ambasadorit Dr. Hajdin Abazit në Australi, Zelandë të Re dhe 10 shtete të tjera të Pacifikut Jugor.

Kërkesa e plotë e komunitetit shqiptar të Dandenongit në Australi

Drejtuar:

Presidentes së Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia e Juaj, zonja Vjosa Osmani.

Kryeministrit të Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia e Juaj zoti Albin Kurti.

Ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia Juaj zonja Donika Gervalla.

Kërkesë për pezullimin e vendimit për ndërprerjen në gjysmë të mandatit të Ambasadorit Dr. Hajdin Abazit në Australi, Zelandë të Re dhe 10 shtete të tjera të Pacifikut Jugor.

E nderuara Shkëlqesia Juaj, Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuar Shkëlqesia Juaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës, zoti Albin Kurti,

E nderuara Shkëlqesia Juaj, Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zonja Donika Gërvalla,

Komuniteti Shqiptar në Dandenong ju shkruan me shqetësim për zhvillimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me ndërrimin e pesëmbëdhjetë ambasadorëve. Në fillim dëshirojmë të theksojmë se Komuniteti Shqiptar në Dandenong është komuniteti më i madh jo vetëm në shtetin e Viktorisë   por në tërë Australinë  i cili  është i lidhur ngushtë me atdheun. Kjo lidhmëni është natyrore e historike. Këtu u bënë shumë tubime me karakter sportiv, kulturor e politik në frymën kombëtare.

Së pari duam të sqarojmë se Komuniteti Shqiptar në Dadenong nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e Qeverisë së Kosovës. Por largime të tilla masive në sektorin e diplomacisë për ne të cilët jetojmë në një shtet demokratik janë jo profesionale, jo joligjore por dhe shumë të dëmshme. Shumë bashkëkombës këtu e kanë mirëpritur sloganin tuaj “drejtësi e ndryshime!” në zgjedhjet e fundit. Por këto “spastrime masive” na duket se janë jo demokratike  dhe negative të cilat seriozisht e dëmtojnë reputacion e një shteti të ri të Kosovës.

Së dyti, brenga jonë e veçantë është lidhur me largimin e Ambasadorit të Kosovës në Australi Dr Hajdin Abazi në gjysmën e mandatit të tij. Për tërë kombin shqiptar, por veçanërisht për shqiptarët e Australisë Dr H. Abazi- Lum Haxhiu është figurë emblematke e Luftës Clirimtare të Kosovës. Takimi i tij me të dërguarin Amerikan zotin Richard Holbrooke, nga fushëbeteja  patë dhënë një kurajë për shqiptarët e diasporës e veçanërisht Komunitetit Shqiptar në Dandenong i cili dha  kontributin e vet të çmueshëm për ta ndihmuar luftën për çlirimin e Kosovës heroike. Andaj, emërimi i Dr H. Abazit ambasador në Australi u pritë me një gëzim të veçantë nga të gjithë. Kështu që Ai në një nga vizitat e tij të para nderoi komunitetin tonë në Dandenong.

Siç mësuam nga mjetet informimit publikë, Dr. Abazi ka qenë i emëruar me “Parimin Politik” të Kushtetutës së Republikës të Kosovës. Andaj duhet potencuar se, në veprimtarinë e tij dyvjeçare Ai kurrë dhe në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë, qëndrim apo aspiratë politike apo partiake. Por qëndrimet e tij me të gjithë bashkëkombësit kanë qenë çdoherë mbi parimet kombëtare dhe në interes të shtetit të Kosovës.

Duhet theksuar se Dr H. Abazi është ambasadori dhe zyrtari i par i cili vizitoi Komunitetin Shqiptar në Dandenong. Edhe pse në këto dy vite mundësia e lëvizjes ishte shpeshherë e kufizuar për shkak të pandemisë Ai shfrytëzoi çdo rast të mundshëm  të marr rrugën e gjatë me qëllim që të jetë pranë nesh.  Dr Abazi vuri kontakte të forta me të gjitha strukturat e komunitetit tonë. Ai vuri kontakte të rregullta me Qeverinë Lokale, e Majorin e Dandenongut- Zotin Xhim Mehmetin, me Kryesinë e Komunitetit, me Klubin Futbollistik “Prishtina”, me shoqatat fetare, me biznesmenët shqiptar, me grupet e pensionistëve, grave dhe rinisë. Ai me një respekt të veçantë për herë të pare organizoi takimin  me intelektualët dhe profesionalistët tanë të cilët punojnë në institucionet shtetërore, publike, profesionale e universitare.

Duhet theksuar gjithashtu se Dr Abazi si një ish luftëtar, diplomat e intelektual i urtë ka përfaqësuar me dinjitet shqiptarët kudo që janë, në këtë anë të globit gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore. Dr Abazi ka vendosur lidhje të shkëlqyera diplomatike, me Australinë, Zelandën e Re dhe vendet tjera të Pacifikut Jugor. Por mbi të gjitha,  për herë të parë ai shtroi idetë e bashkëpunimit të Kosovës me biznesmenët shqiptar më qëllim të sjelljes së investimeve tona në Kosovë dhe viset tjera të Atdheut. Është pikërisht kjo punë e palodhshme ajo e cila për herë të parë filloj të ngrisë urat e bashkëpunimit në mes të komunitetit tonë më mëmëdheun, kjo që sot është domosdoshmëri jetike për ekonominë e Kosovën.

Ne si shqiptar të cilët jetojmë në Australi, konsiderojmë se nuk “jemi të huaj në këtë dhe” (De Rada) dhe nuk mund të rrimë indiferent në rastet kur qeveritarët e mëmëdheut tonë veprojnë në mënyrë jo profesionale dhe shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit tonë. Këto veprime jo vetëm vrasin shpirtrat tanë por edhe e damkosin seriozisht e reputacionin e vendit dhe kombit tone në fushën diplomatike.

Shpresojmë se brenga jonë do të kuptohet drejtë dhe kërkesa jonë do të merret parasysh, dhe se Dekreti i Presidentes për lirimin nga detyra të ambasadorit Dr. Hajdin Abazi do të pezullohet.  Një hap i urtë i Presidentes do të përmirësojë reputacionin  diplomatik të Kosovës në Australi dhe shtetet  tjera të Pacifik të Jugut, gjë të cilën e dëshiron çdo shqiptar!

Me respekt,

Kryetari: /Riza Jaupi/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas divorcit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt, prej dy vitesh…